Turizëm Makbethian
- Nga: Erion Dasho
Që prej inaugurimit të qendrës “Toptani” në Tiranë janë shtuar mundësitë për turizëm të tipit të ri - Turizëm Makbethian.
Përfytyroni: autobuzi me turistë e nis nga hotel “Plaza” me shoqëruesin që shpjegon:
"Kjo është qendra “Toptani”. Esat Toptani u vra në 1920 në Paris".

Pas 2 minutash: "Ky është sheshi Avni Rustemi. Rustemi ishte ai tipi që vrau Esatin".

Pas 5 minutash: "Ky është Bulevardi Zogu I. Ahmet Zogu ishte kushëri me Esatin dhe vrau Avniun për t’u hakmarrë".

Pas 5 minutash: "Ky është sheshi “Fan Noli”.

Fan Noli ishte prift, por kur Ahmet Zogu vrau Avniun, bëri revolucion dhe mori pushtetin. Ahmetin e dëbuan dhe e dënuan me vdekje në mungesë. Veçse Ahmeti u kthye pas gjashtë muajsh, mori pushtetin, u bë mbret dhe dënoi Fan Nolin me vdekje në mungesë. Fan Noli iu kthye punës së priftit."
Pas 2 minutash: "Kjo është Piramida, muzeu i Enverit që mori pushtetin dhe shpalli Avniun dhe Nolin heronj, kurse Esatin dhe Ahmetin armiq. Kjo histori vazhdoi 45 vjet".

Kthen kokën nga ana tjetër: "Kjo është qeveria dhe kuvendi i Shqipërisë. Këta i ranë shkurt. I shpallën Esatin, Avniun, Ahmetin dhe Nolin të gjithë heronj, kurse Enverin e shpallin 8 vjet hero dhe 8 vjet armik".

Dhe kështu mbaron me happy-end historia e Shqipërisë së pavarur...





















