Blog

Tutat dhe atletet e mësuesve kanadezë - Nga Jeta Dedja

Kur shkela për herë të parë në ambjentet e shkollës së fëmijëve të mi në Kanada, më bëri përshtypje veshja e mësuesve. Mbizotëronin atletet, tutat apo streçet. A thua të ishin të gjithë mësues fizkulture?! Takova drejtoreshën, edhe ajo e relaksuar në veshje. Asnjë prej tyre nuk mbante taka. Si kurioze që jam dhe hipur në majë të takave të mia, (ende duke i rezistuar stilit kanadez) pyeta në fund të takimit për kodin e veshjes, duke i dhënë pak lëndë mbi interesin tim. Por kanadezët kanë qejf të flasin për diferencat, sepse në fund të fundit larmia kulturore është tipar themelor në Kanada. Z

onja Melissa më shpjegoi se mësuesit bëjnë shumë aktivitete me nxënësit dhe u duhet t’u përshtaten atyre. Ata ulen të gjithë bashkë në dysheme kur lexojnë një pjesë, dalin në oborr të vizatojnë e shtrohen në bar, bëjnë një shëtitje nëse shohin që nxënësit janë lodhur dhe e bëjnë mësimin duke ecur, kërcejnë kur kanë muzikë, aktrojnë kur bëjnë arte.

“Ne mund të veshim taka- tha drejtoresha, -por nuk do ishim në pozita të barabarta me nxënësit, plus që në dimër rrezikojmë edhe të rrëshqasim-shtoi ajo.

Ky shpjegim vlen edhe për tutat-mendova unë.

Kaluan vitet dhe djali i madh shkoi në gjimnaz. Mësuesit edhe këtu me veshje sportive dhe çanta shpine ose me rrota. Madje ai i matematikës, me pantallona të shkurtra edhe në mes të dhjetorit. Me drejtoreshëm e viteve të treta kam krijuar miqësi pasi na lidh një trajnim që kemi bërë bashkë.

E pyes: “Vicky si është puna me veshjen e stafit në shkollë. Nuk keni rregulla që të jeni me paraqitje më zyrtare?”.

“Çdo shkollë ka kodin e vet të etikës, - më shpjegon ajo. Dhe stafi ynë ka vendosur që të vishemi thjeshtë, për t’iu përshtatur niveleve të ndryshme ekonomike e kulturore të nxënësve tanë, të mos na shohin në pozita superiore dhe të mos mbajnë distancë rolesh me ne. Kush dëshiron, vishet me taka e xhaketa, vendos perla apo varëse të shtrenjta, por pas disa javësh këta mësues heqin dorë. A ulesh dot rehat në fushën me bar veshur me fustan dhe mbathur taka të larta? Apo krekosur para fëmijëve të ardhur nga zonat e luftës? Plus që ne lëvizim gjithë ditën lart e poshtë nëpër klasa.

I pyes djemtë e mi se si u duken mësuesit e tyre. Të dy përgjigjen “Cool”.

Prandaj shumica e mësuesve kanadezë relaksohen në atletet e tyre. E megjithatë nuk është vetëm kjo arsyeja, të kuptohemi…

©JetaDedja