Blog

Përparim Kabo: Vrapo të fitosh kohën e humbur Kosova jonë e trimave!

Kosovë, gëzoje pavarësinë, vlerësoje pavarësinë, kuptoje pavarësinë... dhe që të ndodhë kjo, duhet kuptuar se është fituar liria... si shkruante Podrimja ynë i shenjtë… “pas 1913 dritat u fikën një e nga një... vetëm një mbeti e ndezur, drita e lirisë”…

Kosovë, historia jote u ringjall në shkurt 2008, bash në 17 shkurt. E fitove betejën dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ku Serbia e shpuri çështjen... tanimë do apo nuk do ajo të të njohë si shtet të pavarur, kjo ka pak rëndësi... Një ditë kokëulur do e pranojë.  

Kosovë mos e lër tokën të çpopullohet, që të rinjtë të ikin... le të kujtojmë ata nipërit 12 vjeçarë të Adem Jasharit që nuk pranuan të iknin nga shtëpia por kërcyen nga zetori dhe u kthyen në shtëpi tek axha i tyre dhe atje e lëshuan frymën e fundit pa u trembur...

Kosovë ke mbi 10 vite që punon por edhe që ngrindesh me veten, ke një dekadë që shpall heronj por po kaq kohë që krijon apo zbulon tradhëtarë dhe spiunë...

Kosovë s’ke tokë me falë dhe histori me përdhosë por sytë mbaji çelë dhe mendjen e qartë...

Përtej maleve të Sharrit dhe ajo trevë shqiptare e shqiptarësh është nën Maqedoni, por tani ata hynë në NATO dhe s’janë më në rrezik. Po kështu vllaznit tanë në Mal të Zi. Ajo tokë është shqiptare dhe e shqiptarëve por tash pak kohë ai vend është në NATO dhe fati ynë shqiptar është i siguruar... 

Mëndje të nxehta vllazën shqiptarë të Kosovës, ju politikanë dhe ju qeveritarë, parlamentarë dhe aktivistë të shoqërisë civile mos hidhni shkelma ndaj Amerikës... pa të nuk do kishim Kosovë të pavarur si shtet me territor popullsi dhe së fundi dhe me ushtri...

Edhe një fjali. Ju heronj mos harroni se ka një dallim në Europën e Bashkuar mes border dhe frontier... Nëse mendja peshon nga heroizmi i tejkaluar atëhere vazhdohet të zhvillohen beteja të të së shkuarës dhe kështu po mbeteni pengje të së kaluarës...

Vlerësoje pavarësinë dhe lirinë Kosovë! Largoji aveturierët dhe hapi shteg mendjes së kthjellët! Vrapo të fitosh kohën e humbur Kosova jonë e trimave dhe e mendimtarëve!

Ta puth ballin Kosovë…

Tagged under Perparim Kabo