Blog

Mbi ndëshkimin e gabimit mjekësor -Nga Dr. Erion Dasho

Për shkak të disa rasteve të ndodhura kohët e fundit në qendra shëndetësore të ndryshme në Shqipëri ku pacientë kanë humbur jetën, interpretuar shkaku si gabim mjekësor, qeveria shqiptare ka propozuar disa ndryshime në Kodin Penal, mes të cilave dënime të ashpra për mjekët që do të neglizhojnë gjatë punës së tyre. Lajmin e ka publikuar Dosja.al në datën 3 maj.

Disa mjekë kanë reaguar mbi këtë çështje. Një prej tyre është edhe Dr. Erion Dasho, i cili identifikon disa pika për debat dhe vë në pikëpyetje projektligjin në një status në profilin e tij në Facebook si më poshtë vijon:

"Reagimet tona (të mjekëve) ndaj një projekt-ligji që penalizon neglizhencën mjekësore duhet të shërbejnë si motiv për debat.

Së pari, publiku duhet të mirëkuptojë reagimin e mjekëve që është universal dhe bazohet në solidaritet. Vetë Shoqata Mjeksore Amerikane (AMA) është në luftë të vazhdueshme me ligjet e atjeshme (që nuk të falin) për të mos ndëshkuar penalisht asnjë formë gabimi mjekësor, përfshi neglizhencën.

Nga ana tjetër, publiku dhe shoqëria kërkojnë përgjegjshmëri dhe, për këtë arsye, neglizhenca mjekësore kriminale është e dënueshme në një numër legjislacionesh, sidomos kur ajo pasohet me dëmtim permanent të shëndetit të pacientit apo humbje të jetës.

Por për të arritur në pikën ku mundësohet një dallim i qartë midis koncepteve mediko-juridike të "neglizhencës", "neglizhencës kriminale", "gabimit mjekësor të pashmangshëm", "gabimit mjekësor të shmangshëm" etj. duhet bërë paraprakisht një punë voluminoze dhe e kujdesshme si nga ana ligjore dhe ajo mjekësore.

Nevojiten ndryshime në rregullore (udhëzues, protokolle, etj.), kulturë (vetë raportim, përmirësim i cilësisë, konferencat spitalore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, etj.), legjislacion (përkufizime të qarta ligjore, sigurime profesionale, etj.), institucionale (ngritje e institucioneve që do të hartojnë protokollet, ridefinim i rolit të Urdhërit të Mjekut si mbrojtës i mjekut dhe jo i pacientit, zyra avokatore të profilizuara, etj.)...

Kjo vetëm për të përmendur disa prej masave që duhen marrë. Përndryshe mjeku lihet në dorë të interpretimeve shpesh subjektive të prokurorëve, avokatëve dhe gjykatësve.

A është menduar gjithë ky kompleksitet kur është hartuar projekt-ligji ynë për ndëshkimin e gabimit mjekësor??!!