Allishverish akademik - Nga Çapajev Gjokutaj
Një pedagog i kërkon marrdhënie intime një studenteje. Në shkëmbim do t’i japë provimet e lëndëve të veta, plus do ndërhyjë tek kolegët t’i japin notë kaluese edhe ata. Dhe s’janë pak, një dyzinë me provime dhe një tufë me pedagogë e pedagoge. Na - nëm, tregu bën çudira.
Ky është skandali i radhës që kësaj jave ka ngjallur diskutime të shumta. Diskutohet psh nëse i lejohet studentes të joshë e intrigojë profesorin.
Pastaj diskutohet nëse shkelet ndonjë parim, kur redaksia e televizionit nxit e mbështet një studente të provokojë pedagogun në këtë mënyrë. Për më tepër se studentes në fjalë nuk i është bërë ndonjë padrejtësi, përkundrazi është ajo që e ka nisur shkeljen, nuk ka ndjekur leksionet e seminaret thuajse një vit.
Pastaj diskutohet a i lejohet pedagogut të bëjë pazare të tilla, me gjuhë e sjellje si të ishte halabak e jo edukator.
Të gjitha këto mund e duhet të diskutohen. Mbase gaboj por kryediskutimi ynë si shoqëri duhet të jetë: kemi të bëjmë me një ngjarje të rastit apo me pazare të përditshme, gjëra që janë bërë të zakonshme në universitetin në fjalë.
Videot e bëra publike të shtyjnë të dyshosh se kemi të bëjmë me këtë të dytën. Në tavolinën e kafehanes pedagogu i thotë studentes ‘hallexheshë’ se dy studente të pranishme i ka ndihmuar për të njëjtin hall.
Jo vetëm kaq, profesori merr përsipër të hyjë mik, jo tek një por tek disa pedagogë të tjerë, madje të ndërhyjë edhe në sekretari e më lart për anën shkresore.
Po qe se zotimet e profesorit me zinxhir floriri në qafë dhe me zhargon halabaku janë të vërteta, të lind e drejta të besosh se në këtë universitet ka një treg funksional e të mirëstrkturuar allishverishi. Besimi vjen e anon nga bindja kur kujton vargun e skandaleve të ngjajshme ndodhur në të njëjtin universitet dhe bërë publike në vite. Kësaj i thonë, topi bam e Muçua tutje.
Dhe, po qe kështu, më shumë se me universitet kemi të bëjmë me mejhane ku studentë dembelë e të pandërgjegjshëm blejnë provime, si të ishin qofte, nga pedagogë abuzues e delenxhinj.
Dhe po qe se një treg i tillë është i ngritur e funksionon nën hundën e autoriteteve, vështirë se bëjnë fajde diskutimet e tjera, se i thonë të shqetësohesh për po*dhët në qenef. Por siç e tha edhe i moçmi, ku ka dert ai nga ato.





















