Apel për Këshillin Koordinues të Diasporës. Mbroni emigrantët që kanë mbetur rrugëve!
- Nga: Petrit Kuçana
Të nderuar anëtarë të Këshillit Koordinues të Diasporës!
Pas pandemisë së Covid-19, është krijuar një situatë e paprecedentë, ku sipas raportimeve në media mbyllja e kufijve të shtetit shqiptar (edhe për shtetasit shqiptarë), ka bërë që një numri të madh shtetasish shqiptarë u pamundësohet kthimi në mëmëdhe.
Si një organizim, i cilësuar si i pari në historinë e shtetit shqiptar për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve të larguar nga vendlindja, dhe duke besuar se ka një interes tepër të madh për fatin e tyre ju lutem a mund të na sqaroni për sa vijon;
Sipas kronikave të shumta televizive dhe lajmeve në media, janë me dhjetëra emigrantë shqiptarë që duan të kthehen në Shqipëri, por që kanë mbetur në kufijtë Shqipëri-Greqi, Shqipëri Mali i Zi dhe më gjerë,
A keni ndonjë mesazh për ta dhe çfarë do të bëhet me fatin e tyre?
A keni një shifër (qoftë edhe të përafërt) të numrit të shqiptarëve nëpër botë që duan të kthehen në mëmëdhe?
A dispononi një listë të atyre që janë në gjendje mbijetese, dhe si anëtarë të Këshillit Koordinues të Diasporës, a keni ndonjë strategji për t’u ardhur në ndihmë këtyre mërgimtarëve?
A do të mund të presin nga ju, si përfaqësues të interesave të shqiptarëve të larguar nga vendlindja, që do mund të ndërmjetësoni me institucionet e shtetit shqiptar për kthimin e tyre në atdhe?
Mbetemi në pritje të përgjigjes suaj.
Me konsideratë,
Petrit Kuçana
The Albanian
Londër, UK





















