Blog

Shtazët e kuqe që dënuan qenin për motive politike - Nga Alfons Zeneli

Revolta e Spaçit e prirë nga flamuri kombëtar, është pothuajse unike.

Edhe kryengritja e Postribës është kryengritja e parë ndaj një regjimi komunist në pjesën e Evropës së pushtuar prej tij direkt pas Luftës së Dytë Botërore.

Por sot është pervjetori i Spaçit, i revoltës famëmadhe të njeriut ndaj shtazës së kuqe.

Të gjitha diktaturat komuniste të Evropës Juglindore si dhe të BRSS, spikatnin në errësirën e kohës si makina më gjakatare që ka pjellë mendja njerëzore.

Megjithatë, diktatura hoxhiane e Enverit ua kaloi të gjithave për nga pangopësia me gjak e jetë njerëzish. Injorante, e babëzitur, barbare deri në skajet më të largëta të ndërgjegjes dhe imagjinatës.

Shfaqja demoniake e saj nëper burgje dhe kampe solli dhe revoltën e Spaçit. Mirëpo çfarëdo që të them unë tingëllon e ditur, e njohur.

Është e vështirë për njeriun të përshkruajë me fjalë atë që nuk e rrok dot mendja njerëzore.

Revolta e Spaçit u shoqërua dhe nga një ngjarje. Qeni i të burgosurve me emrin Tart, "mori" pjesë në revoltë duke iu vërsulur policëve dhe gardianëve.

Pas shtypjes së saj, një trup gjykues humanoidësh e dënoi qenin Tart me vdekje duke shënuar kështu rastin e dytë në historinë e planetit që një kafshë dënohet për motive politike.

Rasti i parë ka qënë dënimi i kalit të Petrit Dumes. Vetëm se kali qe dënuar pa gjygj.

Asnjë njeriu në botë nuk do t'i duhej më shumë se kaq për t'u distancuar nga komunizmi. Dhe fatmirësisht njerëzit janë distancuar.

Qënieve që nuk janë distancuar ende, iu lipset një tjetër emër.

©Alfons Zeneli