Varka e Turit, Barka "rilindase" e Ramës dhe Barka e Noes - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto
“Turi po lundronte me varkë në një lumë të rrëmbyeshëm. Para i doli një shkëmb nënujor. Çfarë bëri Turi?
Lundroi për në breg?
U bë qull nga dallgët?
Devijoi shkëmbin?”
Përgjigjen e saktë të kësaj pyetje idiote të hartuar nga Ministria e Arsimit për maturantët në provimin e gjuhës shqipe e dinë vetëm specialistët e Ministrisë së Besës. Një gjë është e sigurt, këto idiotësira nuk ndodhin rastësisht. Vetë ministrja Shahini, u bë pjesë e ekuipazhit të barkës qeverisëse të kapitenit Rama, pa kurrfarë meritash në lëmin e arsimit apo të letrave shqipe. Në këtë ministri, Besa është si Liza në botën e çudirave, prandaj kjo ishte njëra në radhën e çudirave të saj.
Partia Socialiste erdhi në pushtet me premtime e dithirambe, duke identifikuar veten me Rilindasit tanë të ndritur, që hodhën themelet e arsimit shqip. Në qeverinë e Ismail Bej Qemalit që sot kryesohet nga rilindasi Edi Rama, Ministër i Arsimit ishte Luigj Gurakuqi. A mund të ketë ndonjë lloj ngjashmërie me shoqen Besa? Kurrsesi! Mjaft e ngjashme ajo është me Tefta Camin, ministren e nomeklaturës që u katapultua nga Sekretare e Parë e Dibrës në fronin më të lartë të arsimit, por vetë lideri komunist Alia e shkarkoi për paaftësi. Njësoj si me Ministrin e Jashtëm Cakaj që u katapultua në fronin e diplomacisë pa kurrfarë eksperience.
Prandaj përgjigja e saktë e testit me “multi choice” të mësipërm është: Turi mori teserën e FRESSH-it (Forumi Rinor i Partisë Socialiste), sepse vetëm kështu maturanti Turi do të mundet të ketë një të ardhme në Shqipëri. Do të mund të punësohet. E pse mos pretendojë të bëhet edhe deputet?! Kur u bë Ndoka që ishte trafikant, Doshi që është shpallur “non grata” nga USA, apo Majlinda, që po të ishte maturante do të kërkonte një zgjidhje tjetër: Turi kërkoi ndihmë nga "kërpërata" përmes telefonit. Ndërsa për kryepolicin rilindas Veliu: Turi është trafikant i maskuar si maturant që po përpiqet, që të kalojë lumin dhe të na “dhjesë” kalin.
Ky është shteti, që e drejtojnë individë jo sipas meritave dhe aftësive, por përmes përkushtimit ndaj partisë dhe liderit absolut. Ndaj dhe kemi një ligj skandaloz për arsimin e lartë. Ndaj ne kemi universitete private më shumë se sa studentë dhe të “diplomuar” si deputetja Majlinda e kryepolici Veliu, që nuk dinë të artikulojnë dot në shqip.
Në Kanada ku unë jetoj, arsimi i lartë universitar është vetëm publik dhe nuk i lejohet privatit. Investimi privat është vetëm në kolegjet profesionale. Shumë studentë shqiptarë po shkëlqejnë në Universitetet e Kanadasë, që janë nga më të akredituarat në botë. Shumë studentë shkëlqejnë edhe në Shqipëri, por nuk bëjnë dot karrierë në atdhe dhe detyrohen të braktisin mëmëdheun dhe të kërkojnë perëndimin. Ata nuk bëjnë doktoratura plagjaturë, si Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu, por e ndërtojnë të ardhmen me punë serioze shkencore, jo me tesera partie.
Testi i Matematikës për Maturantët
Vilma fitoi tenderin e "Check Up". Për një test Vilma fiton 5 euro. Gjatë këtij viti Vilma bëri me "sforco" 30.000 teste. Sa euro fitoi Vilma? 150.000 u përgjigjën maturantët. Jooo. Vilma fitoi 8 milion euro. Sipas maturantit Basha 7×7=42. Sipas rilindasit Rama 7×7=8 milion euro në xhepat e Vilmës. Vilma paguhet edhe nëse nuk i bën fare testet. E tillë është kontrata.
Barka e Noes
Shpëtimtarit të njerëzimit Noes, (sipas mitit) iu deshën 100 vite për të ndërtuar Arkën, që do të lundronte në shtërngatë për të shpëtuar njerëzit dhe kafshët e ndershme nga zemërimi përmbytës i Zotit ndaj padrejtësive. Politikanëve tanë i mjaftojnë listat e gatshme, drejtësia e kapur dhe servilët e emëruar për të ndërtuar Arkën e tyre shpëtimtare.
U ndërtua “SPAK” nga ndërkombëtarët për të vënë në vend drejtësinë dhe në prangat e ligjit pushtetarët abuzues. Po rezultati? Rrjeta e qepur për merak nga OPDAT, EULEX, LU e VLLAHUTIN, doli mall kinez skarco. Atë mund ta çajnë edhe cironkat e jo më peshqit e mëdhenj. Kështu që SPAK tani vendosi të gjuajë me kallam në lumin e Lanës, ku nuk ka fare peshq. Në grepin e tij mund të bien ata që grubullojnë kanoçet që i hedhin qytetarët e papërgjegjshëm.
Ps: Në Arkën e Noes u fut kontrabandë edhe Korbi. Noe i shqetësuar pyeti Zotin nëse duhet ta pranonte? Lere i tha Zoti. Ai ha vetëm kërma!





















