Mbi postimin e Dua Lipës - Nga Enver Robelli

Enver Robelli
Historia e shqiptarëve (dhe me gjasë e asnjë populli) nuk shpjegohet me 250 gërma në Twitter. Aq më pak me një "hartë" të skicuar për një ndeshje futbolli. Dua Lipa ka pasur 100 mënyra për t'iu kundërvënë komunitetit nga kanalizimi racist dhe ultranacionalist serb.
Para disa javësh ajo shpërndau një postim të kineastit Vin Arfuso që ishte - thënë me së buti – i diskutueshëm dhe kishte të bënte me konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve. Arfuso aty llomotiste për "hebrenjtë e rrejshëm" dhe "të krishterët e rrejshëm" që e paskeshin themeluar Hamasin për të arsyetuar "spastrimet etnike dhe vrasjet". Qeveria e tanishme e Izraelit meriton të kritikohet, sepse politikat e saj janë shtypëse, por duhet gjetur mënyra e duhur e kritikës dhe përherë duke pasur parasysh shmangien e keqinterpretimeve nga kujdestarët e mediave sociale.
Dua Lipa ka treguar një ndjeshmëri të madhe për migrantet dhe e ka përkrahur socialistin Bernie Sanders në garën për të qenë kandidat për president të Amerikës. Ajo po ashtu e ka mbështetur betejën e aktivistes suedeze Greta Thunberg për mbrojtjen e planetit. Këto e nderojnë Dua Lipën. Dhe të gjitha këto, krahas muzikës së saj, e bëjnë Dua Lipën markë, fenomen dhe yll global. Natyrisht me ndikim.
Postimi i fundit i saj pa e shpjeguar kontekstin lokal për publikun global shkakton vetëm konfuzion dhe reagime të disa akademikëve dhe "ekspertëve të Ballkanit" që flejnë në Twitter dhe duan ta paraqesin Dua Lipën si një "ultranacionaliste shqiptaromadhe". Ec e shpjegoja tash fansave në Brazil, në Zimbabve, në Indonezi dhe në Bangladesh se postimi mund të ketë qenë vetëm reagim ndaj një fushate raciste të nacionalistëve serbë?
Goditja ndaj mafies ultranacionaliste serbe ka mundur të jetë më efektive po të mos përdorej simbolika e tribunave të futbollit. Në tri dekadat e fundit shqiptarët në Ballkan kanë arritur mjaft suksese dhe këto i kanë arritur falë ndihmës së madhe të Perëndimit. Dy shtete qeverisen nga shqiptarët, ndërsa i treti bashkëqeveriset nga shqiptarët. Këto suksese janë arritur me politika të mençura strategjike. Jo me simbole të dizajnuara për beteja 90-minutëshe në fushën e gjelbër.
©Enver Robelli





















