Blog

Emigranti - Nga Kastriot Fetahu

Kastriot Fetahu

Emigranti është ai që në mendimin tonë identifikohet më shumë nga valixhja, se sa nga fytyra, apo nga muajt e verës se sa nga emri i tij.

Emigranti nuk ka gjumë. Copëzat e gjumit janë jetë në film dramatik me metrazh të shkurtër, ku aktorët janë të afërmit e tij.

Kafen e emigrantit, mendohu kur ta pranosh. Ajo është "e plagosur" gjithmonë.

Emigranti është e vetmja qënie dy pjesëshe. Trupi aty ku ndodhet dhe shpirti e mëndja kurrë bashkë me trupin. I ndajnë qindra dhe mijëra kilometra distancë.

Emigranti eshte i vetmi që mund ta puthë budallain e rrugicës dhe ta qerasë nëse e sheh.

Ai mund të ketë shokun më të mirë atë që nuk fliste për shumë vite në femijëri.

Emigranti nuk qesh. Ai ka vetëm imazhin e saj në buzët e tij.

Emigranti nuk qan. Ai është gjithmonë një shpirt në vaj dhe të qajë është përjashtim.

Emigranti është mekanizëm i gjallë dhe njeri i huazuar.

Lumturia false është arma më e preferuar e tij, me të cilën mban nën kontroll dhe mposht reaksionet negative të realitetit të tij individual, aspak te bukur.

Emigrantit i mungon dashuria e plakave të rrugicës dhe shokëve të mëhallës.

Emigrantit i mungojnë ndjesitë e gjalla të vëndit ku ka jetuar, që nga thyerja e xhamave kur luanin në rrugicë me shokët, e deri tek dashuria platonike me atë vajzën, që ishte nxënësja më e mirë e rrugicës ku jetonte dhe që nuk i foli kurrë atij.

Jepini çfarë i mungon emigrantit dhe ai do t'iu japë çfarë ju mungon juve.

Emigranti, qënia më e dyzuar në botë.

Ai është shqiptar në dhe të huaj dhe i huaj në Shqipëri.

Telefoni i emigrantit punon vetëm Whatsapp dhe Facebook.

Bileta e avionit është e shënjtë për emigrantin.

Ai nuk është kurrë ai që ishte.

Emigranti qënia më e çuditshme në botë.

Ai shpesh herë, as vetë nuk e di çfarë është.

Emigranti qëndron stoik midis ekzistencës dhe inekzistencës për të dy vëndet ku ka të ndarë trupin dhe shpirtin.

Nderojeni emigrantin!

Ai është "banka reale në mungesë dhe gjaku i munguar në sistemin e qarkullimit të trupit" të Atdheut të tij!

Bëjeni Atdheun, që emigranti të jetë kujtim i largët i të shkuarës së afërt të tij!

©Kastriot Fetahu