Hirësi-faqezi Andoni i Elbasanit “te vëllezërit ortodoksë” serbomëdhenj në varrimin e çetnikut Amfilohije - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër
Mitropoliti i Elbasanit Hirësi Andoni, paska marrë pjesë sot, më 1.11.2020, në varrimin e Mitropolitit serbo-çetnik Amfilohije në Podgoricë. Kjo pjesëmarrje me “bekimin” e Anastasit, kryepeshkopit grek të asaj që vetëquhet Kishë Ortodokse Shqiptare (në fakt e uzurpuar nga kisha greke dhe e toleruar nga politikanët e verbër shqiptarë në Tiranë) - pra, kjo vizitë qenka mirëpritur nga “vëllezërit ortodoksë atje” (lexo: në Podgoricë, ku u mbajt një orgji, procesion e karnaval çetniko-ortodokso-klerofashist me rastin e vdekjes së Amfilohijes).
Hirësi-faqezi Andoni nga Elbasani njofton se Mitropoliti Amfilohije e paskësh ringjallur kishën ortodokse në Mal të Zi pas “persekutimit komunist”. Kur lexon njeriu këso marrëzish, të vjen të mbash brinjët e barkun nga të qeshurat. Fetë nuk kanë qenë të persekutuara në Jugosllavi, por regjimi është kujdesur që në krye të kishave dhe xhamive të mos vijnë predikues të urrejtjes si Amfilohije.
Hirësi-faqezi Andoni merr pjesë në varrimin e një kleriku fashist serb që ka kërkuar dhe ka punuar për shfarosjen e shqiptarëve. Që ka përkrahur kriminelët e luftës. Që ka bekuar paramilitarët. Që ka bekuar aksionet kriminale të regjimit hegjemonist serb. Që udhëhoqi politika antiperëndimore dhe antinjerëzore. Risto Radoviqi, siç quhej me emër tokësor Amfilohije, “nuk ishte njeri i mirë”, siç shkroi dramaturgia e njohur serbe Biljana Sërblanoviq.
Risto Radoviqi kundërshtoi lirinë e shprehjes dhe të besimit (për besimtarët e feve të tjera: “njerëz të rrejshëm me fe të rrejshme”), ai mohoi identitetin e popujve të tjerë, ishte mik i Arkanit dhe i Radovan Karaxhiqit, duartrokitës dhe miratues i bombardimit të Dubrovnikut nga forcat serbe. Në varrimin e tij të dielën një çetnik i kishës serbe i etiketoi shqiptarët me shprehjen fyese “Šiptar”. Krejt kjo në prani të Hirësi-faqezi Andonit të Elbasanit.
Po të kishte Shqipëria pushtet e politikanë që mbrojnë interesat e atdheut, kjo nuk do të ndodhte. Por edhe sikur të ndodhte, pushteti që mbron interesat e shtetit do të kujdesej që një faqezi i tillë të përjashtohet menjëherë nga Kisha Ortodokse Shqiptare dhe krerët e saj të kërkojnë falje për këtë skandal.
Shqipëria nuk ka politikanë që mbrojnë dinjitetin e saj. Andaj dinjitarë fetarë nga Elbasani shkojnë në Podgoricë për të celebruar aleancën antishqiptare bashkë me çetnikë serbë - në varrimin e Amfilohijes. Dhe më së largu të dielën tjetër Hirësi-faqeziu Andoni i Elbasanit do të drejtojë ndonjë meshë në Elbasan.
A do të ketë aty ndonjë shqiptar që e pengon së paku me fishkëllima këtë mik të përkrahësve aktivë të gjenocidit serb ndaj popujve të tjerë të Ballkanit (përfshirë edhe shqiptarët)?
©Enver Robelli





















