Blog

Falë Internetit shqiptar i shquar quhet çdo budalla që zhgaravit - Nga Edison Ypi

Loqemadh Katunari nga Taplasi, Komuna e Tarrasit, Prefektura e Tangopit, u shpall "Shqiptari i vitit", falë Internetit.

Gjithashtu falë Internetit, "Shqiptari i Shekullit" është ai që ishte dhe gjithmonë do jetë, Takap Tahipi nga Marrujti, Komuna e Briskut, Prefektura e Biçakut.

Falë Internetit, ajo që do duhej të ishte shtylla e shoqërisë, mikroborgjezia jonë, më së fundi ekziston. Por është më e fëlliqura në fytyrë të dheut. Ca parazitë e ca hajdutë që hiqen për aristokratë, ca bajga që mbahen për elitë, ca muta që mbahen për çokollata.

Falë internetit, Shqiptar i Shquar quhet çdo hajdut që ngre një flamur dhe çdo budalla që zhgarravit një rresht e gjysëm në Facebook.

Falë Internetit, çdo halabak është më i rëndësishëm dhe më i lavdishëm se një krahinë e tërë që nuk prodhon lajme me mafie dhe vrasje në familje, por vetëm spinaq, misër, grurë, mish, qumësht.

Falë Internetit janë shtuar frikshëm ca budallaqe në kërkim të burrit. Ato që fotografojnë surratin e vet nga dhjetra kënde. Sajojnë vargje dhe fraza me t'i sjellë zorrët te fyti. Nxjerrin piktura me sorkadhe të përlotura, përrua që rrjedh, liqen, pulëbardha, lejlekë, hënë e zbehtë në horizont. Hapu varr të futem!

Falë Internetit, shitësi i bulmetit, kasapi, marangozi, katundarja që sjell qumështin, dhe çdo llapaqen kafeneje, janë pakrahasimisht më seriozë se të gjithë shqiptarët që janë lodhur me vite nëpër shkolla, universitete, akademira.

Falë Internetit shqiptarët Lirinë nuk e perceptojnë si gjithë dynjaja, pra si zgjerim, por si ngushtim, si hall, si siklet, si bunker, si burg.

Falë Internetit shqiptarët nuk po e kuptojnë, se po të shpërdorohet, Liria jo vetëm pakësohet, por edhe asgjësohet.

©Edison Ypi