Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut, manipulim politik i BDI - Nga Xhevdet Nasufi
Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut
Referuar statusit faktik të Avokatit të popullit, trajtimit dhe rolit tij në Maqedoninë e Veriut, kuadri që zgjidhet në këtë funksion bazuar edhe në përvojë është njeri i pushtetit dhe kurrsesi kundër pushtetit. Zgjedhja e bërë këto ditë në funksionin e avokatit duket tamam si rrëfim horror, tragjikomik për BDI, por edhe më shumë për Naser Zyberin që “zbret” nga froni i kryeministrit të gjithpushtetshëm, në “karriken” e referentit me punë vullnetare dhe pa pushtet.
Është tipik ballkanik dhe gërryes deklarimi i Zyberit se vjen në këtë funksion si person jopartiak. Nëse insistohet në këtë apartizëm pse kandidatura e tij nuk u nis nga opozita apo nga sektori joqeveritar, procedurë që edhe është në pajtueshmëri të plotë me sensin e funksionit të Avokatit të popullit që e bën të dallueshëm nga avokati publik (lexo i shtetit)
Ky ndryshim kuadrovik pas pothuajse njëzet vitesh (kaq kohë qëndroi Avokat i popullit Ixhet Mehmeti) sa është e gjatë edhe qeverisja e BDI-së, në sensin më të mirë e provon mendësinë e ndryshkur shqiptare në politikë, atë mendësi e cila nuk e ka çmontuar mentalitetin neokomunist të shtetit në raport me shqiptarët (shikoni instalimin e funksionit të zëvëndëskryeministrit maqedon për politike të Jashtme pas zgjedhjes së Bujar Osmanit të udhëheqë Ministrinë e Punëve të Jashtme).
Sipas kësaj logjike që po ekspozohet nga BDI, të drejtat dhe barazia e shqiptarëve këtu edhe mëtej kalojnë nëpër numra të punësuarish që s’punojnë, nëpër numra të funksioneve që nuk funksionojnë dhe nuk ushtrojnë pushtet.
Mjerisht, ky koncept politik shqiptar në raport me agresivitetin e politikave sllave gjithmonë ka stimuluar pabarazinë e shqiptarëve në Maqedoni dhe ka “përvetësuar” politikën shqiptare në pushtet. Ecja politike në këtë trajektore me sllavët nuk është mençuri politike dhe nuk sjell progres që stimulon zhvillimin, por përkundrazi akumulon rrezikshmëri që mund të përfundojë në krizë ndëretnike.
Nuk është fshehtësi, propozimin për zgjedhjen e Avokatit të ri të popullit e ka bërë BDI, ashtu sikur është sekret publik se zgjedhja e Zyberit Avokat i popullit është borxhlarje për garën e sukseshme zgjedhore për BDI në siglën, “kryeministër i parë shqiptar”. Zyberi ka patur karrierë të qeveritarit (ministër) dhe të ligjvënësit (deputet). Andaj, funksioni i Avokatit (i degraduar skajshmërisht në Maqedoninë e Veriut) nuk i shkon për nder karrierës së Zyberit në njerën anë, por as kompatibilitetit të personalitetit të tij në këtë funksion qytetar.
Në sensin më të mirë, funksioni i avokatit duhet të kapitalizojë hallet dhe dertet e qytetarit. Këtë nuk e ka bërë avokati gjer tani dhe Naser Zyberi nuk është zgjedhur për ta bërë këtë. Dëshmi për këtë është fakti në rrjedhojë: Tani kur po shkruajmë këto rreshta dhe i shqiptojmë në heshtje, në rrugët e Shkupit po dëgjohen zërat e shqiptarëve në protesta për drejtësi, për gjyqësi të drejtë, për Monstrën, Almirin, Sopotin e shumë të tjerë që po sakrifikohen prej një sistemi të padrejtë, në të cilin dhe për të cilin politika shqiptare vetëflijohet dhe vetësuspendohet padrejtësisht.
Janë dy momente shtesë papërputhshmërie në këtë katrahurë me Avokatin e popullit, por edhe mosdallimi nga avokati publik (lexo i shtetit):
Së pari, Naser Zyberi fushaten zgjedhore parlamentare e nxitoi në siglën për kryeministër të parë shqiptar dhe partia për të cilën garoi (BDI) i fitoi zgjedhjet, por Zyberi nuk u bë kryeministër.
Së dyti, deklarimi dhe premtimi publik i bërë në zgjedhjet parlamentare nga BDI dhe Zyberi janë detyrim publik. Si rrjedhojë duhej të përmbushej detyrimi. Kjo nuk ndodhi.
Përfundimisht dhe qartësisht, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përjetuan manipulim politikë-shkallmues, pasi në rrethana të ecjes nëpër tehun e shpatëss BDI ndertoji qeverinë Zaev 2.
Për kujtesë, kontributi i gjithmbarshëm i shqiptarëve në këtë shtet ka traditë historike. Bile, edhe BDI, pjese e luftës, në pushtet pas luftës së vitit 2001, në mënyren më të panatyrshme e dha këtë kontribut. Pikërisht ky kapital i çmuar kombëtar sot e bën BDI me të papërgjegjshme kombëtarisht. Mendësia se kryeministri shqiptar ishte promovim - ide e suksesshme është absurd politik që e dëmton pozitën e shqiptarëve në shtet dhe lëndon krenarinë kombëtare të tyre.
©Xhevdet Nasufi





















