S’ka gjë të re nën këtë diell - Nga Çapajev Gjokutaj
Gjatë ditës rrjedha e lajmeve që përcjellin mediat tona online vjen e shtruar, në orët e mbrëmjes shtohet dhe nis e shkumëzon. Shoqëri që gjatë ditës përgjumet, kurse mbrëmjeve gjallërohet dhe nis aktivitet e jetën, mund të thoshje. Bëjmë apo s’bëjmë jetë nate? Jemi apo s’jemi modernë?
Në fakt lajmet shtohen në mbrëmje ngaqë emisionet bisedë të studiove televizive bëhen burim lajmesh që kopjohen e përcillen nga një portal tek tjetri. Ky tha kështu, ai sqaroi ashtu. Ky, ai, ata, ato që flasin ekraneve e bëjnë këtë punë përditë dhe s’dihet kur gjejnë kohë të gjurmojnë faktet, pa le më të lexojnë e të ushqejnë aftësitë analizuese me parime teorike. Merret me mënd se ç’pocaqi lajmesh prodhojnë.
Parë kështu banaqet televizive të kujtojnë rrapin a kroin e fshatit, mediume publike ku dikur mblidheshin veç e veç burra e gra, shkëmbenin informacion dhe prodhonin thashetheme.
Gjithologët e banaqeve televizive herë pas here grinden e shahen me njeri tjetrin. Jo doemos se u mungon edukata. Duket se shpesh e bëjnë për të na sjellë në mendje gratë telendare, që ziheshin për flokësh te kroi i fshatit.
Eshtë shkruar dhe në Bibël: s’ka gjë të re nën këtë diell.
©Çapajev Gjokutaj





















