Variacione për maskat dhe Lirinë pa to - Nga Faruk Myrtaj
Edhe Individi i Qartë, me maskë rrezikohet të bëhet Turmë!
Vendos një maskë, si auto-censurë dhe ta merr të keqen censura!
Vendos maskë dhe je tjetër nga ajo që dukesh në sy të përgjuesit…
Vendos një maskë dhe provon të mbetesh individ, edhe pse në mes të turmës…
Kush je ti që jep maskë, ti që urdhëron maskë kush je?
Po ti që e pranon atë maskë, pa u bindur, përse…?
Ti që bie në gjunjë dhe dystohesh përballë erës që fryn?
Ti që rebelohesh, kush je?! E di ti sa vazhdon kjo domosdo a pa-shmangie maskash që të mund të matësh shkallën e lirisë tënde?
Lëri pa maskë, Votim i Hapur! I merr vesh Pro dhe Kundra-t!
Për Ata, lindur dhe jetuar në Liri, është më e vështirë pa-Liria… S’dinë të përdorin maskën. Nuk e mbajnë dot gjatë…
Mendo, një moment: Vendose maskën këtë Prill, me idenë ta heqësh diku pranë vitit 2030!
Nëse nuk të është bërë një me lëkurën, edhe mund ta heqësh!
Nëse ke harruar Veten, nuk e heq dot më. S’e ke të nevojshme heqjen, madje sikur është komode ta mbash edhe më tej.
Është nervozuese. Mund të ketë rebelime: U mësuam me maskën dhe ju kërkoni të na e hiqni sërish?
Kujtohuni si ishim pa maskë? Pse duhet ta shfaqim gojën dhe vrimat e hundëve, pse?
Po, nëse ke arsye ta heqësh, nëse pret të shoh dikush, nëse ke pëlqyer dikë kur ishe/ishte pa maske...
Sallat mondane, skenat e bukuruara shtrenjtë të Modës, dolën Jashtë Mode: mezi dallohen maskat.
Gjobë gjithkujt që pretendon se me maskë është, me maskë të padukshme prej Sunduesit.
Thuaji: “maskë” ke qenë, tërë jetën! Jetoje si rob dhe prisje të bëje rebelin kur të “plaste” Liria!
©Faruk Myrtaj





















