Blog

Nesër Edi Rama do përjashtojë edhe Edi Ramën - Nga Ilir Levonja

Nga Maji i 2019-ës, kur nisi Vettingu, apo reforma mbi verifikimin e pasurive, e ashtuqujtura edhe Reforma në Drejtësi, 80% e kuadrit të gjyqësorit nuk e justifikonin gjëndjen financiare. Atëhere u fol se Vetting do bëhej edhe në institucione të tjera, si policia dhe Kuvendi apo edh për politikanët. Por nuk ndodhi asnjëherë.

Kur thua 80%, merret me mend se çfarë katastrofe sociale ka përjetuar vendi ynë nga korrupsionin në drejtësi. Eshtë njësoj si të ilustrosh një ngrehinë me katër kate, duke ia hequr 80% të trupit. A mund të qëndrojë m, në këmbë ajo? Assesi. Pra bëhet fjalë për drejtësinë, ku paratë e rryshfetit vijnë kryesisht nga bota e paligjëshmërive. Vret katër veta në rrugë dhe del i pafajshëm etj. Jo vetëm që i merr tjetrit pronën, por e fut edhe në burg. Vjedh milionat e taksave dhe jo vetëm që del i pafajshëm por edhe ''intelektual'' me diplomë, vilë në bregdet, toka, dhe pasuri të tjera kryesisht apartamente.

Imagjinojeni vetë tani nëse ky lloj Vettingu do bëhej në polici, shëndetësi, arsim, apo dogana. Ndofta më në fund do ta kuptoni se përse pagat a pensionet janë qesharakë, përse akoma diskutohet uji njëzetë e katër orë, rryshfeti në shëndetësi etj. Shifrat do dalin aq marramendëse sa edhe shqiptari më naiv nuk do ta ketë të vështirë të kuptojë se përse Shqipëria e tij ëndrrron të jetë Zvicra dhe jo anasjelltas. Megjithatë kurrë, e ashtuqujtuara esnafëria e vendit, nuk do ta pranojë demin katastrofik që u ka shkaktuar shqiptarëve.

Dhe jo vetëm kaq, por kanë nisur një lojë të fëlliqur me gjoja pak pendesë për pushtetin e gjatë të tek-tuk bashkiakëve në rrethe dhe pandëshkueshmërinë. Aq sa nesër mos u çudisni kur SPAK-u të thërrasë në bankën e të akuzuarve vetë Edi Ramën, dhe kur ky, para kamerave, do t'u thotë se distancohet publikisht nga Edi Rama.

Po, po, do shikoni Edi Ramën të vetëm në krye të një salle me plot Edra të tjerë, ca me qillota, ca me treçerekëshe, rruar pa rruar, ku Edi i kreut u thotë, përjashta nga Partia Socialiste. Puna është, a e kanë kuptuar vetë shqiptarët? Këta apo ata kryebashkiakë, kush i vuri aty, shqiptarët apo Edi Rama? Në demokraci veprohet jo me t'i vënë gishtit tjetrit, por edhe vetes. Ky vetë asnjë faj nuk ka?

Sigurisht që ka, por kur u thua njerëzve që mandati i tejzgjatur në pushtet është kancer për shoqërinë, revoltohen, bërtasin, mbrojnë me shkumë shtetarin sikur ta kenë aspirator. Do Zoti e ky SPAK-u vazhdon se do shihni gjëra që do skuqeni. Do u dhimbset vetja sa dëmi breznor është po aq i pariparueshëm sa ai i diktaturës kur aplikonte luftën e klasave.

Nuk ka asnjë të pazevëndesueshëm. Mjerë ai komb që mendon të kundërtën. Problemi tjetër është opozitarizmi. Është antikombëtare kur shikon studiove sportive ca opozitarë që u shkumosën mbi vjedhjen e votës. E harruan indinjatën, janë pjesë panelesh, e atyre studiove që të nxjerrin sytë. Eshtë po aq antikombëtare kur kryeopozitari u thotë shqiptarëve nga zyra me kondicioner që peshku qelbet nga koka. Sigurisht nga koka qelbet, ashtu si me ty, humb e qëndro në pushtet. Bëj votime Edi Rama, ashtu edhe ti.

Nesër mos prisni në pushtet një demokrat, por një variant tjetër të Covid-it Edi Rama, një variant tjetër të shushunjave që me fondet publike blejnë vila dhe çojnë fëmijët në shkollat më të mira të Europës. Opozitari në kushte të tilla, me fakte alarmante, ka vetëm një zyrë, sheshin. Por kjo nuk ndodh. Kësisoj prisni ndonjë skup tjetër me "non grata", a ndonjë kryetar bashkie periferik si Prrenjasi, thjesht për t'ju masturbuar, jo për të çuar vendin në Europë. Ata vetë aty do i keni, nuk e lëshojnë istikamin. Eshtë i njëjti soj, i njëjti virus.

©Ilir Levonja