Blog

Në kujtim të masakrës së Reçakut - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

Pasi i pa viktimat në Reçak, ambasadori William Walker tha se bëhej fjalë për masakër të forcave serbe. Beogradi solli disa “ekspertë” bjellorusë për të kryer obduksionin e viktimave, të cilët “arritën në përfundimin” se nuk bëhej fjalë për masakër ndaj civilëve. Nuk duhet harruar se gazeta franceze “Le Monde” la për të kuptuar se Reçaku ishte “ngjarje e inskenuar” - kjo është njëra ndër njollat më të mëdha në historinë e kësaj gazete.

Pas presionit ndërkombëtar, regjimi i atëhershëm serb lëshoi pe dhe pranoi që viktimave t’u bëhet një obduksion tjetër nga një ekip ekspertësh perëndimorë të prirë nga mjekja finlandeze Helena Ranta. Më 17 Mars 1999 Ranta foli para rreth 150 gazetarëve në një sallë në Prishtinë mbi gjetjet e saj. Ajo nuk e përdori fjalën “masakër” me arsyetimin se i kishte parë kufomat, por jo vendin e ngjarjes. Më vonë ajo ka thënë se konferenca për shtyp në Prishtinë ishte ndër momentet më të tmerrshme të karrierës së saj, “nuk është dashur të jem aty”, “isha në kohën e gabuar në vendin e gabuar”.

Mediat zvicerane patën raportuar se pak para konferencës për shtyp në Prishtinë, Ranta ishte takuar me William Walkerin. I zemëruar që Ranta nuk fliste për masakër, Walker kishte thyer disa lapsa që kishte në tavolinë dhe me ta e kishte gjuajtur Rantan.

Në Gjermani gazeta “Berliner Zeitung” akuzoi mjekët finlandezë për “kundërthënie dhe gjysmë të vërteta”, dy gazetarë të televizionit gjerman WDR një dokumentari për luftën e Kosovës ia vendosën titullin “Filloi me një rrenë” (rrenë, sipas tyre, ishte Reçaku). Ky dokumentar pati ndezur një debat të ashpër në Gjermani. Dokumentari u citua nga Sllobodan Millosheviçi gjatë gjykimit në Hagë.

Helena Ranta nuk e pati guximin të thotë të vërtetën e plotë më 17 Mars 1999, me gjasë nga frika e reagimeve të Beogradit. Tek në vitin 2001 ajo tha se tani i ka faktet e plotë dhe mund të thotë me siguri të plotë nga janë shkrepur plumbat: “Nga afërsia dhe jo nga distanca 200 metra, siç pretendonin serbët dhe bjellorusët”. Këtë deklaratë Ranta e ka dhënë më 20 Qershor 2002 për të përjavshmen zvicerane “Weltwoche”. Atëherë “Weltwoche” ishte e përjavshme serioze, tani (prej vitesh) është një gazetë djathtiste që faktet i ngatërron me fiksion. Para disa ditësh kjo revistë botoi një storje për “popullin heroik serb”. Në raportin e saj Ranta tha se viktimat e vrara bartnin rrobe civile dhe jo uniforma të UÇK-së. Viktimat ishin vrarë aty ku ishin gjetur. Përfundimi i Rantas ishte ky: Reçaku nuk ishte inskenim.

Fati i madh i Kosovës ishte se në kohën e masakrës së Reçakut Presidenti amerikan Bill Clinton dhe gjenerali Wesley Clark qartë i definuan vrasjet si masakër ndaj civilëve të paarmatosur. Ministri i Jashtëm gjerman Joschka Fischer ia dorëzoi Sllobodan Millosheviçit më 20 Janar 1999 një letër në emër të BE-së ku fliste për ekzekutimin e 45 personave të paarmatosur, mes tyre gra e fëmijë.

©Enver Robelli