Kur fati ta sjell të njihesh me njeriun e mirë Gani Beliu - Nga Kolec Traboini

Kolec Traboini
Gani Beliu, është njeri i rrallë, njeri i mirë, i komunikueshëm, i sinqertë të cilin, nëse e ke takuar qoftë dhe një herë në jetë, kurrë nuk e harron. Mësuesin e sportistin Gani Beliu e kam pasur kujdestar të konviktit në Qytetin “Studenti”, në vitet e Universitetit. Kemi pasur edhe një kujdestar tjetër, Angji Lubonja, por ndaj tij ishim të ftohtë, kishim përshtypjen, ndoshta të gabuar, se ai kishte punuar në instanca sigurie, a ndoshta na kishte thënë diçka të tillë vetë ai. Por Gani Beliu ishte tjetër. Kujdestar Ganiu kishte kujdesin e një prindi. Çfarëdo problemi që kishe e zgjidhte Ganiu. Madje gjenim kohë e loznim edhe shah. Ndeshjet më të forta të shahut i bënte me të ndjerin Llambro Ruci, himariotin që e kishim shok dhome dhe na sillte portokalle nga kopshti i babait të vet Gogo Ruci. Por edhe me vlonjatin Petrit Hajdini.
Me këto mbresa të mira u ndamë kur mbaruam studimet. Kaluan vite dhe kur punoja në Kinostudio, në rrugicën ku e ka shtëpinë Gani Beliu, afër qendrës së Tiranës, institucioni ynë ndërtoi një pallat me kontribut vullnetar. Dy vjet punova aty në ndërtim. U bëra dhe unë tiranas, i thosha me humor kur mora shtëpi në atë rrugicë. Tirana e ka zëmrën e mirë dhe të madhe, më thoshte. Veçmas për shkodranet ai kishte konsideratë të veçantë. Më shumë më thërriste shkodran se sa me emër. Më fliste për futbollistët e shquar të Shkodrës. Të vjetër e të rinj. Mbaj mend që përmendëte Din Zhegën dhe Paulin Ndojën. Vetë kishte qenë portier me Tiranën, por edhe me “Naftëtarin” e Kuçovës ku qe mësues. Edhe Agustin Kolën e keni shkodran, më thoshte. Gani Beliu ka qenë sportist me një trup të fuqishëm atletik sa të thuash, veç prania e tij në portë frenonte çdo tentativë sulmuesish. Më kujtonte Dod Tahirin e “Vllaznisë” së Shkodrës. Një gjigand në portë.
Ndër vite takoheshim shpesh se në një rrugicë jemi, me kujtonte gjithherë librin tim të parë që nuk e harronte, “Petalet e bajames së hidhur” që e kishte në bibliotekën e tij familjare dhe më pyeste çfarë ke shkruar, çfarë ke botuar. E paskajshme mirësia e Gani Beliut. I sillja librat e mi të rinj dhe kisha kënaqësi t’ia dhuroja. Dhe ai gëzohej. Dhe kur më qëllonte të shihja djemtë apo të shoqen i pyesja si e kam Ganiun. Dëgjoja gjithnjë fjalë të mira për shëndetin e tij. Veçse këto kohët e fundit që u mbyllem si Oso Kuka ndër shtëpia për shkak të pandemisë nuk e kam parë. Por djemtë e tij më thonë se babai 85 vjeçar mbahet mirë e kjo më gëzon.
Të përshëndes kujdestar Ganiu! Çfarë mbresash të mira ke lënë tek nxënësit e studentët dhe çfarë mirësie kishe në shpirtin tënd për ata. Zoti ta shpërbleftë me mirësi dhe jetëgjatësi, o njeri i mirë!
©Kolec P. Traboini - 7 shkurt 2022





















