Braktisini grafomanët dhe shtypin e zhytur në injorancë! - Nga Vangjush Saro
Ligjëratë
Në vijim të disa shënimeve për grafomaninë dhe mediat që rendin të fitojnë ç’të fitojnë, po sjell disa “xhevahire” siç thuhej dikur për gabimet e rënda në shtyp. Sot, ndonjëherë, e shkruara u besohet vërtet injorantëve dhe ne nuk e dimë ç’po ndodh me shkollat, mandej me rrjetet, gazetat e TV-të. Në emër të “demokracisë” dhe zgjerimit të auditorit, disa e kanë lëshuar pa frena… Çfarë nuk shkruhet, nga të punësuarit dhe nga ata që “japin mendime” veresie.
Braktisini pra, grafomanët dhe mediat e zhytura në injorancë! Po si t’i dallojmë ato?
Ja si shkruan një gazetë që e ka klithmën ç’e pyet: “38 vjeçari shqiptar vritet nga pronari i vilës që shkoi për të grabitur.” (Kush kishte vajtur për të grabitur: shqiptari apo pronari i vilës? Apo vila vetë?)
Ja një medie tjetër që, për fat të keq, nuk arrin të flasë shqip: “Transferimi i një mësueseje të një shkolle fillore në një qytet kanadez me shami ka ndezur ndezur zemërim dhe polemika…” Pra, në vend që ta fillojë fjalinë me rrethanorin e vendit ose ta zhvendosë atë në fund të fjalisë, preferon të flasë përçart: “Në një qytet kanadez me shami…” Urdhëro? Ishte mësuesja me shami apo qyteti?
Një tjetër gafë në shtypin e ditës: “Policia greke ka arrestuar një shtetas shqiptar të kërkuar në Kakavijë.” (Sipas shkruesit, kërkimi i atij shtetasit bëhej në Kakavijë.)
Tash ju këshilloj të mos i lexoni fjalitë e mëposhtme se do të ndjeheshit keq. Fundja, i lexoni për të kuptuar se duhen zgjedhur edhe mediet, edhe autorët. “Jam shumë i kënaqur që jam në Tiranë. (Thotë dikush, por ne e kemi me atë që e ka përkthyer.) Isha i lumtur që takova opozita, dhe ata shprehën angazhimin e tyre ndaj NATO-s dhe integrimit europian, dhe luftën kundër korrupsion. Përfshirë edhe përpjekjet tona në luftën kundër korrupsionit, përfshi edhe sanksionet.” Etj. Kjo nuk ka nevojë për asnjë lloj komenti, duket sikur e ka shkruar ndonjë banor nga viset e Arktikut.
Vazhdojmë: “Ushtria amerikane konfirmoi se gjatë operacionit të liderit të ISIS në perëndim të Sirisë u shkatërrua dhe një helikopter i saj.” (Kush e kreu operacionin, ushtria amerikane apo lideri i ISIS? Cili helikopter u shkatërrua?)
Këto dhe shumë të tjera kësi gjenden në medie dhe tek autorë që shesin mend nga mëngjesi gjer në mbrëmje. Nuk e përfytyroj dot se ç’do të bënin po të ishin gjallë profesorët tanë Remzi Përnaska dhe Fatmir Agalliu…
Ani. Nga duhet t’ia rifillojmë? Nga shkolla fillore apo nga arsimi parashkollor, si i thonë tani…
Lexohemi.
©Vangjush Saro





















