Kur injoranca është më e dobishme se dija - Nga Çapajev Gjokutaj
A ka gjëra që është më mirë të mos i dish? Kjo pyetje mund të ngjajë si gjëpogjë, që thoshnin pleqtë. Dija të bën më realist, të shtyn ta kuptosh më qartë realitetin që po jeton dhe rrjedhimisht t’i shton mundësitë e suksesit dhe të mirëqenies. Prirja e njeriut ndaj dijes është thuajse e lindur. E thoshte dhe Aristoteli: njeriu ka shtysë të vetvetishme për të ditur.
E megjithatë ka gjera që individit i shërbejnë më shumë kur nuk i di. Thenë ndryshe ka gjëra që njeriu është më mirë të mos i dijë.
Sherret e Tolstoit me të shoqen psh, zgjatën shumë e shumë më tepër sesa dashuria a makar mirëkuptimi. Burimi i parë dhe kryesor i këtyre sherreve u bënë ditarët që Tolstoi ia dha t’i lexonte në fillimet e marrëdhënies, ditarë që përmendnin edhe flirtet e shumta, që kishin shenjuar jetën e shkrimtarit përpara njohjes me të shoqen.
Me sa duket ka gjëra që njeriu bën mirë të mos i dijë, madje edhe t’i injorojë e t’i shmangë me qëllim. A është mirë p.sh. të të thonë se, mbështetur mbi strukturën tënde genetike kanë zbuluar që pas 2-3 vjetësh, do sëmuresh nga një leuçemi akute, që do të të marrë brenda muajit?
Një shkrim i “The Guardian” shpjegonte dukurinë që psikologët e quajnë “injorancë e qëllimshme” dhe sillte edhe një shembull. Në vitet 1990, kur dosjet e Shërbimit Sekret Gjermanolindor u vunë në dispozion të publikut, jo pak zgjodhën të mos i shihnin. Një psikolog, Ralph Hertwig, që e ka studjuar këtë dukuri, thotë se arsyet pse shumë vetë s’donin të dinin nëse i kishte spiunuar kush, ishin të ndryshme.
Disa shqetësoheshin se mund të humbisnin ndonjë të afërm a mik. Të tjerë kishin arsye më të forta: po sikur leximi i dosjes t’u dëmtonte aftësinë për t’u besuar njerezve në tërësi? Më keq akoma: po sikur t’i shtynte të humbisnin besimin tek vetja, dmth tek aftësitë për të njohur karakterin e tjetrit dhe, rrjedhimisht t’i shtynte drejt vetmisë dhe vetizolimit?
Natyrisht këto janë të diskutueshme, po unë jam me psikologun kur thotë se disa njohuri (në fakt jo dhe aq pak) është mirë të mos i dish; vetëm ndonjë i ri pervers p.sh. do të donte të dinte nëse prindi i tij mastrubohet.
Të dish a të mos dish, kjo ka qenë kurdoherë çështja, por në ditët tona, kur jemi të përmbytur nga lloj-lloj informacionesh e sidomos kapso informacionesh, alternativa “të mos dish” haset shpesh e më shpesh.
Këshilla e dikurshme “kujdes çfarë shoku zgjedh”, duket se sot po merr trajtën “kujdes nga ç’burime zgjedh të informohesh”. Nuk e thoshte keq i pari “Po fjete me qen, me pleshta do gdhihesh”.
©Çapajev Gjokutaj





















