Blog

Sundimi i Enverit dhe i mediokërve të huaj mbi shqiptarët - Nga Kostandin Ristani

Duke medituar për të gjetur një krahasim në kujtesën time të largët, por të pashtrembëruar, e gjeta më në fund shpjegimin se ç'më ngjason mjaft saktë me SPAK.

Njëlloj si grupet e kontrollit punëtor që ngriti diktatori despot Enver Hoxha me qëllim që të shkarkonte, si gjithmonë por me metoda që ai i kishte shumë pasion t’i quante novatore, çdonjë e këdo pa asnjë proçes të mbështetur e zbatuar me ligj. Me këto masa arbitrare dhe abuzive, ky diktator bizantino-anadollak e abuziv tmerroi gjithë aparatin drejtues partiak e shtetëror me shkarkimet, qarkullimet, e nganjëherë edhe burgosjet e kuadrove që kishte zgjedhur vetë apo levat që ai drejtonte tërthorazi me grushtin e hekurt e të pamëshirshëm diktatorial.

Propaganda demagogjiko-puniste e tij ishte të “mbysim me hekur e të djegim me zjarr” çdo çfaqje të huaj social-revizioniste, imperialiste dhe mbeturinat mikrobogjeze në shoqërinë shqiptare. Si vështirë të gjesh ndonjë shembull kur ai despot ia arriti këtij qëllimi propagandistik e demagogjik, veçse qëllimin e tij djallëzor për të hequr qafe ata që nuk i vinin pas qejfit atij, ose lakejve të tij, dhe që ekspozonin kalbësinë e parullave fallco për krijimin e “Njeriut të Ri” pa asnjë ves, e të përsosur me idealet komuniste sipas haluçinacioneve të tij paranojakë.

Prova më e gjallë e këtij dështimi të laboratorit njerëzor punisto-komunist janë ose “njerëzit e rinj” ose bijtë e këtyre monstrave të laboratorit në fjalë që morën në dorë pushtetin, drejtimin e partive dhe drejtimin e shtetit shqiptar pas rrëzimit të punizmit de jure, por vazhdimit të tij de facto.

Këta tani janë venë në shërbim të ca diplomatëve e këshilltareve të huaj dhe po zbatojnë me përulje të pështirë kontrollin punëtor SPAK të ideuar e projektuar nga ca aparatçikë mediokër të huaj dhe që shpërfillin, abuzojnë në mënyrë skandaloze dhe i bëjnë të pazbatueshme detyrimet e Konventës së Gjenevës në Shqipëri dhe njëkohësisht, paralizuan sundimin e ligjit në shtetin shqiptar dhe e zëvendësuan atë me sundimin e mediokrëve të huaj mbi shtetin shqiptar.

Po mendoj: Kaq popull bagëti i molepsur dhe i zgjebosur paskemi qenë ne si komb sa të arrijmë e të pranojmë që të  përdoremi e shfrytëzohemi kaq çnjerëzisht nga Enver Hoxha dhe këta mediokër të huaj në vazhdim?

©Kostandin Ristani