Blog

NATO, flamuri i Kosovës, euforia dhe marrëzia - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

- Në takimin mes kryeministrit të Kosovës dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s flamuri i Kosovës nuk vendoset për shkak se disa shtete anetarë të NATO-s, fatkeqësisht, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

- Fatkeqësisht Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s as këtij kryeministri aktual të Kosovës nuk i referohet si kryeministër i Kosovës. Ngjashëm ka qenë edhe me paraardhësit e tij. Dhe kjo është situatë e shëmtuar.

- Në takim me presidentin serb, Protokolli i shefit të NATO-s në sfond e vendos flamurin e Serbisë, sepse NATO si tërësi e pranon Serbinë si shtet.

- Çdo lexim tjetër i koreografisë protokollare të NATO-s, duke e keqinterpretuar në favor të Kosovës është absurd, euforik, i marrë. Ky kryeministër ka legjitimitet të plotë demokratik për të negociuar, por nuk është as profet, as supermen, as çudibërës, as evlia, siç mund të mendojnë apo besojnë duartrokitësit e tij të verbër. Kohërat e profeteve kanë përfunduar. Në fund të çdo negociate, secili politikan matet e vlerësohet sipas rezultatit të arritur. Ende nuk është arritur pothuaj asgjë.

- Pozitive është që NATO deklarohet e gatshme të garantojë paqen në Veri të vendit dhe të ndërhyjë nëse banditët e dirigjuar nga Beogradi shkaktojnë trazira. Por nuk duhet harruar që kontaktet e ushtrisë serbe me NATO-n, janë po aq intensive sa ato me Rusinë. Vite më parë, në shtabin e KFOR-it në Prishtinë u prit shefi i Armatës serbe, i dyshuar për krime lufte. Në këtë vizitë shihej edhe pafuqia e Kosovës. Asnjë e vërtetë nuk mund të heshtet.

©Enver Robelli