Gjenerali i vërtetë Rahim Ademi dhe gjeneralët primitivë kroatë - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër
Kosovari Rahim Ademi është i vetmi gjeneral në Kroaci i cili në fushëbetejë e ka mposhtur kriminelin e luftës Ratko Mlladiç. Rahim Ademi është i vetmi gjeneral kroat që i veshur me uniformë ushtarake dhe i shoqëruar nga presidenti i vendit Stjepan Mesiç vullnetarisht i është dorëzuar Tribunalit të Hagës, pas një akuze banale për gjoja krime të luftës. Tribunali i Hagës lëndën ia ka kthyer drejtësisë kroate për gjykim. Drejtësia kroate e ka shpallur të pafajshëm Ademin.
Ka pasur tendenca që Rahim Ademit t’i ngarkohen faje për krimet që i kanë kryer oficerët kroatë. Rahim Ademi nuk është dorëzuar. Në liri ai ka shkruar një libër mbi luftën në Kroaci dhe rolin e tij. Këtë libër me titullin “Vetëm e vërteta” e ka shkruar për shkak se historiografia zyrtare ka minimizuar rolin e tij. Pa rezistencën e organizuar nga gjeneral Ademi, qyteti bregdetar i Shibenikut do të ishte pushtuar nga forcat e Ratko Mlladiçit. Pa rolin e tij prej strategu, forcat kroate nuk do t’i kishin futur nën kontroll aq shpejt territoret e pushtuara nga njësitë serbe.
Shoqata e veteranëve të luftës vetëmbrojtëse të Kroacisë e ka shpallur librin e gjeneral Ademit si veprën më të mirë mes 16 veprave të tjera mbi temën e luftës së Kroacisë për pavarësi. Tani Shoqata e Gjeneralëve Kroatë nuk ka lejuar që në zyrat e saj Ademit t’i dorëzohet dekorata e artë e Shoqatës së veteranëve të luftës së Kroacisë për librin e shkruar prej tij.
Të vërtetat e hidhura që përmend Ademi në librin e tij duket se disa gjeneralëve kroatë nuk u kanë pëlqyer. Bëhet fjalë kryesisht për gjeneralë që fushëbetejat i kanë parë shpesh përmes televizionit. Pas këtij skandali gjeneral Ademi ka vendosur të braktisë shoqatën e gjeneralëve primitivë kroatë. Mirënjohja i është dorëzuar gjeneralit Ademi në një bibliotekë të Zagrebit.
©Enver Robelli





















