E ardhmja që nuk erdhi kurrë - Nga Ervina Toptani
E premte në mbrëmje! Tirana hesht.... U enda një copë herë rrugëve të saj për të kërkuar ëndrrat që dikur i lëshoja në çdo rrugë si pluhur yjesh... Pak njerëz, pak... kanë ikur të gjithë më thonë e ikin çdo ditë. Ia lamë ëndrrat rrugëve e rrugët ia lanë erës t'i ruante.
Endem, për të kujtuar kohën kur mbrëmja gumëzhinte, kur flisnim me miqtë për filozofinë, politikën, plagët e së shkuarës e dëshirën për të ndërtuar një të ardhme... e cila nuk erdhi kurrë.
Çfarë dreqin i bëmë këtij qyteti? Çfarë dreqin nuk kuptuam nga çfarë jetuam e përjetuam prej keqedashjes e babëzisë së të pangopurve? A kanë vlerë titujt shkencorë, duke nisur nga unë e para kur s'qemë të zot të luftonim deri në fund përballë njerucëve të cilëve iu lejuam të jenë fitimtarë? Çfarë dreqin ka kuptim kur kërkojmë Atdhen në çdo rrugë të Europës ku shkelim? A thua do na e pranojë Zoti faljen ditën e gjykimit për çfarë nuk bëmë?
A ka màrre më të madhe se me u ul me qa në mes të rrugës ku dikur shpërndaje ëndrrat, pse ato nuk i gjen më? A ka marrëzi më të madhe sesa t'i ndalësh njerëzit në rrugë e t'i përqafosh pse e di që ata s'munden të të kuptojnë?
Kush e ka fituar betejën e të keqes me veten, ka ende për të fituar betejën e paqes me botën.
Të gjithë ata autorë, njerëz të mrekullueshëm që shkruajnë, në një kohë kur nihilizmi pasiv po shkon thellë e më thellë, kanë mbushur stenda të tëra me libra kur e dinë që e sotmja nuk jep asnjë shpresë për kulturën, për mua janë heronj. Nuk ka qëndrim më të bukur, më dinjitoz për të refuzuar trishtimin që na ka kapur për fyti si shoqëri. Jeni heronjtë e mi, një e nga një e ju falenderoj me shpirt secilin autor e libërdashës që këto ditë doli nga panairi qoftë dhe me një libër të vetëm në dorë.
Trishtimi im ka emër, është pamundësia që t'i flasim njëri tjetrit në gjuhën e dashurisë. Jemi vetëm një grusht njerëzish, secili me plagët e dhimbjet e tij, pse e kemi kaq të vështirë me u dashtë e me u mirëkuptu në mes nesh?
Shqipërinë e bëjnë shqiptarët, ata që i ngjasojnë atyre që dikur njerucët përbindësha i çuan para togave të pushkatimit a ua morën jetën duke i mbytur me spango e litarë për fyti, duke i vënë rrasën e varrit mbi kurriz futur trupin nëpër gropa fekalesh, e të tjerë duke i varë në litar, i lanë edhe pa emra.
Lëshojuani kolltukët që mbani ngjitur pas vetes, dreqi e mori, atyre që e duan këtë vend, në paçi Zot!
©Ervina Toptani





















