Blog

Sot në Ditën e Rinisë - Nga Ilir Gjini

 Ilir Gjini - Toronto

Ku je ti tmerr i mbretërive, o këngëtare e Lirisë!

Nga kujtimet e paharruara të atyre ditë-netëve të Dhjetorit 90-të, kur regjimi i fundit komunist i Europës përpëlitej në agoninë e tollonave, më kanë mbetur të pashlyera në memorie dy detaje. Në mbrëmjen e 6 Dhjetorit, një turmë e madhe studentësh konviktorë po vërshonte nga dy rrugicat e ngushta të “Qytetit Studenti” për të dalë te Rruga e Elbasanit dhe parrullave “duam drita”, “duam kushte” po iu bashkangjiteshin edhe disa të tjera të “rrezikshme”. Ndërkohë sampistët që kishin tejmbushur kamionët IFA, u lëshuan me egërsi mbi studentët. Turma u ça dhe shumë studentë u rrëzuan përtokë. Nga egërsia e shqelmave dhe e shkopinjve të sampistëve, gjithsekush përpiqej të shpëtonte, duke lënë në rrugë e trotuaret e ngushta, kush një këpucë e kush dy.

Një familje tiranase e katit të parë të një pallati, na bujti për t’u shpëtuar shkopinjve të sampistëve. Bashkë me mua në familjen tiranase u strehua edhe një studente e “filoqylit” (kështu i quanim atëherë studentët e Fakultetit Filologjik), që studionte për anglisht. Vajza dukej tejet e traumatizuar. Me zërin që ende i dridhej na tha se kish parë vdekjen me sy. “Pasi u rrëzova përtokë nga shtytjet e forta të mburojave të sampistëve, dikush nga turma më kaloi me këmbë përsipër. Më pas sipër meje ranë disa stuntentë. Nuk po mbushesha dot me frymë dhe po bija në agoni. Kur isha dorëzuar dhe nuk mundesha më të lëvizja, fatmirësisht masa sipër meje u largua” - mbaroi tregimin vajza.

Kur u përmënd disi pas kafes që na serviri i zoti i shtëpisë, studentia vërejti se ishte vetëm me një këpucë. Tjetra i kish mbetur në rrugë. Një palë këpucë në atë kohë kushton rreth 2000 lekë, që ishte gjysma e pagës mujore. I zoti i shttëpisë, pasi në rrugicat përreth ra qetësia, doli të kërkonte këpucën. Jo një, po plot një thes me këpucë të mbledhura solli. Por asnjëra nuk ishte e vajzës, megjithëse ngjyra dhe modeli përafronin me origjinalin. Nuk ke ç’bën - i thashë. Tani do të duhet të lidhësh pak këmbën, që të shkosh në fakultet me një këpucë dhe me një shapkë për këmbën e “dhëmbur”. Zor se gjeje në atë kohë një student që kishte dy palë këpucë.

Detaji i dytë ishte pak ditë më vonë. Ishim të mbledhur jashtë mencës 9 të “Qytetit Studenti”. Mësimin e kishim braktisur dhe po prisnim reagimin e Ramiz Alisë pas peticionit që i kishim nisur për dhunën policore. Në shkallët e jashtme të mencës që shërbenin si podium për këdo që merrte fjalën, u ngjit një student i Arteve. Në vend të fjalimit ai recitoi disa vargje të Pushkinit:

Ti hiqmu për një çast prej syve

O muz e zbehtë e dashurisë,

Ku je ti tmerr i mbretërive

O këngëtare e Lirisë!

Turma e priti me shumë ovacione. Sot, 31 vite pas shëmbjes së komunizmit me keqardhje vërej se vërtet komunizmi vdiq, por kufoma e tij po kalbëzohet mes nesh duke na kontaminuar si një virus Covidi. Vazhdon lufta e klasave, por me një formë tjetër, më “fine”. Nuk të internojnë për pikpamje politike, po të heqin nga puna. Pra të heqin kafshatën e gojës. Pa tesër partie nuk punësohesh dot në administratën shtetërore. Dikur kishim fuksat e sigurimit dhe AGBV-të që kontrollonin mendimet tona. Sot kemi patronazhistët që na “orientojnë” votën.

Dikur udhëheqësi ynë i “lavdishëm” mashtronte opinionin publik duke propoganduar ndihmat e solidaritetit që vinin nga Jugosllavia, BS e më vonë Kina. Ndërsa për ndihmën mjaft të konsiderueshme në armatim, veshmbathje e pare që aleatët anglo-amerikanë na dhanë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Enveri thoshte se na hidhnin dy këpucë të djathta, që këmbën e majtë ta kishim të zbathur?! “Na hidhnin automatik sharëz po jo fishekë”?! Në fakt Enveri nga koka në këmbë ishte i mbathur nga ndihmat e aleatëve.

Po sot, a po na hedhin aleatët amerikanë vetëm këpucë të majta? Këpucë që i bëjnë për mrekulli Të Majtës në pushtet, ndërsa Të Djathës as që i hyjnë fare në këmbë. Reforma në Drejtësi, zgjedhjet e 25 Prillit të njohura me urgjencë dhe buzëqeshjet e ambasadores së kudondodhur edhe kur prishet teatri, a janë vetëm “ndihma në këpucë vetëm të majta”?

©Ilir Gjini