Përgjegjësia për të ngritur Shqipërinë nga humnera është e shqiptarëve - Nga Ervina Toptani
Njerëzit e kanë të vështirë të marrin mbi vete përgjegjësi. Përgjegjësia, në rastin e Shqipërisë sot, kthehet në detyrim për ata që e kuptojnë rëndësinë. Detyrimi shprehet në formën e ndërmarrjes së përgjegjesisë kur njeriu sheh se gjithçka shkon keq, se e keqja nuk është një formë e paformë prej së cilës duhet të ruhemi, por është realiteti, përditshmëria që jetojmë, e për fat të keq duket se jemi mësuar me të.
Nga çka lexoj e informohem perceptoj se niveli më i lartë i shprehisë së parehatisë personale e shoqërore të njerëzve që shkruajnë, qofshin intelektualë, njerëz të letrave apo ata të thjeshtët si ne të gjithë, është paraqitja e realitetit të zi, Shqipërisë që shpopullohet, njerëzve që herë i shohin problemet e tmerrohen e herë i mbyllin sytë sepse mbi “dafina flihet” më butë. Deri sot kaq kam perceptuar.
Por nëse ata që shkruajnë, që mendojnë se mund të jenë të aftë për diçka më shumë sesa shpalosja e asaj që dimë, që njohim sepse e jetojmë çdo ditë, mund të japin një alternativë për rregullimin e gjërave, mund të japin ide sesi mund të ndihmohemi, sesi mund të bashkohemi, sesi mund të krijojmë një lëvizje ku politika të jetë në plan të dytë.
Në plan të parë të jetë bashkimi, atdhedashuria, dëshira për të shpëtuar çka mundemi e për të mos qenë dëshmitarë që Shqipëria ishte e nuk do të jetë më. Të shkruash mbi skandalet, shkeljet ligjore, hajdutërinë që politikanët tanë, të paktën këto 30 vitet e fundit, kanë bërë e bëjnë nuk përbën më asnjë habi e madje është kthyer në bezdi. Fjalët i merr era!
Çfarë jemi në gjendje të bëjmë për ta ndryshuar këtë realitet? Sa të aftë jemi për t`u bashkuar, të paktën të bashkohet një dorë shqiptarësh, të kenë guximin e kurajon për ta kthyer në rezistencë kombëtare pakënaqësinë që është bërë halli pa të cilin nuk dimë të jetojmë. Fjalët nuk trembin askënd, e ndaj politikanët e zgjedhur me votën e thesit të miellit, vazhdojnë të qetë misionin e tyre sepse neve na kanë dhënë lirinë e fjalës, e sa kohë ne do të fjalosemi e shkruhemi për të shprehur vetëm pakënaqësitë, ata i kanë punët në rregull.
Dakord, politikanët që ne kemi zgjedhur në 30 vite, në çdo qeveri të këtyre 3 dekadave kanë qenë e janë të paduhurit, por ne i kemi mbështetur, i kemi zgjedhur, kemi bërë protesta të fuqishme, janë vrarë shqiptarë që të ikte njëra palë e të vinte tjetra, që përsëri ia lë rradhën palës që ishte më parë. Janë po ata gjithnjë, e sigurisht dhe ne po të njëjtët që i gjejmë sipas kokës që kemi, ashtu dhe festën. Dakord. Pastaj, çfarë vjen pastaj?
Të shprehësh e të kërkosh të drejtat duhet më parë të kesh përmbushur detyrimet dhe përgjegjësitë. Të drejtat tona, të qytetarit, bëhen pjesë e jetës së përditshme vetëm pasi qytetarët të jenë kujdesur që këto të drejta të jenë fituar prej bashkësisë së tyre. E drejta që nuk njihet prej të gjithëve njësoj nuk quhet e drejtë.
Nëse shkelet e drejta e një shqiptari e nëse të tjerët nuk ngrihen për të, atëherë do iu shkelet të gjithëve ajo e drejtë sepse shqiptarët e kanë dhënë modelin. Kështu, ne sot e kemi humbur të drejtën për të pasur të drejta sepse në asnjë rast nuk marrim përgjegjësi e detyrime bashkarisht, të cilat po bashkarisht duhet t'i kthejmë në të drejtat që na përkasin.
Nëse ne, si qytetarë, nuk marrim dot asnjë nismë sociale reale, qytetare, nuk krijojmë dot bashkësitë e lëvizjet atdhetare atëherë është e pamundur të kërkojmë të drejtat që na përkasin. “Lista” e detyrimeve dhe përgjegjësive që njeriu duhet të marrë përsipër, korrespondon me listën e nevojave njerezore më emergjente, siç është uria. Nëse nuk jetohet në uri të vazhdueshme, pa mundur të sigurojmë minimalen e jetesës për fëmijët e për veten, si mundemi të jetojmë me litarin në fyt, në emër të asaj kafshate lotësh?
Uria, është nevojë fizike e cila nëse nuk plotësohet, të vret, por ka disa elementë apo nevoja të tjera që janë po aq të rëndësishme, që nëse nuk plotësohen, edhe ato të vrasin. Këto nevoja nuk kanë lidhje me jetën fizike, por me atë morale. Ato janë njëlloj si uria, nevoja të jetës tokësore pa të cilat njeriu kthehet në një leckë që nuk vlen për asgjë, edhe sikur të ketë çdo lloj pasurie materiale.
Dinjitet, respekt, atdhedashuri, janë këta elementë pa të cilët njeriu dalëngadalë bie në gjendje pak a shumë analoge me vdekjen. Vegjeton duke menduar se po jeton. Këto nevoja janë shumë më të vështira për t’u njohur sesa ato për të cilat trupi thërret. Njeriu prej urisë është në gjendje të bëjë gjithçka, po prej mungesës së dinjitetit, respektit, dëshirës për të qenë i lirë në një shtet ku nuk funksionon ligji, rregulli, drejtësia, përse nuk është në gjendje të bëjë atë që bën kur është i uritur?
Ne, si shqiptarë e dimë mirë, se ekzistojnë mizori shumë më të mëdha që prekin jetën dhe të ardhmen e njeriut dhe Atdheut, të brezave që do të vijnë sesa thjesht trupin e tij. Janë këto mungesa që e privojnë njeriun nga ushqimi bazë i nevojshëm për jetën e shpirtit të tij. E shpirtit po nuk i dhe dinjitetin që meriton do të vdesë në trupin e një njeriu që vegjeton, e që kthehet thjesht në një qenie frymore, që vetëm ha kafshatën e dhënë e frymon.
Njerëzit e mëdhenj, në mes furtunash e rrebeshesh bashkohen e luftojnë për të sjellë kohët e begata. Njerëzit e vegjël, në mes begatisë e mirësisë, ndeshen, luftojnë e krijojnë dasi e përçarje për të sjellë kohët e vështira të mjerimit, për përfitime personale.
Secili prej nesh zgjedh ku ka dëshirë të bëjë pjesë e mandej dhe dinjitetin e tij si njeri, dhe kombin e Atdheun do e përfaqësojë sipas zgjedhjes që ka bërë.
©Ervina Toptani





















