Kur shtetin e marrin në qafë “dashnoret” - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto
Sebepi i sherrit është gjithmonë femra, tha xha Sulua i famshëm te filmi “Kapedani”. Megjithëse një ide tepër patriakale, ndonjëherë mund të rezultojë e vërtetë. Nuk e besoni? Ja shikoni skandalin e fundit të Charles, ish-drejtori i FBI. Një dashnore e zemëruar e mori në qafë.
Po të qe për kolegët e tij, do vazhdonte të quhej qytetar shembullor. Do gëzonte pensionin me xhepat plot me paratë e oligarkut rus dhe të Nezë-ve të Ramës dhe i kishte punët në vijë. Mjaftoi një zemërim i dashnores që u ndje e braktisur dhe e nxorri zbuluar për gjithë mëkatet e bëra. Dhe jo vetëm atë, por rrezikon të marrë në qafë për fare edhe politikanin Rama.
E mbani mënd ish-kryebashkiakun Shukri të Dibrës? Një femër të cilës në këmbim të një vendi pune i kërkoi favore seksuale, e mori në qafë të ziun Shukri. E nxorri me brekë të grisura në sy të gjithë miletit dhe përfundoi në burg mavriu. Ku ta dinin miqtë tanë amerikanë që shpenzuan miliona dollarë për SPAK, që do t’u dilte një shpenzim kot, pa vlerë? Sepse SPAK dhe e gjithë drejtësia e re po bën shumë pak. Madje aspak. Dhe shumë herë i vë skandaleve kapak.
Ta dinin ketë miqtë tanë amerikanë do kishin rekrutuar ca dashnore, apo pastruese dhe do gjenin gjithë paret e vjedhuara me PPP e tendera. Pas plasjes së skandalit të gjithë u fshehën. Madje edhe vetë Rama i madh apo Skënderbeu i Elisës, u fsheh për pesë ditë me radhë. U fsheh edhe kur e kërkuan për interpelancë në Kuvend dhe nxorri Elisën. U fsheh edhe “dashnorja” më e zjarrtë e qeverisë, Yuri. Ajo që me patetizëm i kujtoi opozitës barin, u fsheh edhe vetë te “Kulla e barit”, në selinë e Rrugës së Elbasanit.
Vetëm Alibeaj nuk fshihet. “Konkubina” e qeverisë vazhdon me pasion misionin e tij për shkatërimin e opozitës dhe opozitarizmit. I është ngjitur asaj karriges që ia la Bardhi pa dekret si miza pas mjaltit dhe s’e lëshon për be. I duket vetja më shumë se Ali-be. Shërben, përjashton, voton dhe hiç nuk përton.
Të jetë ky skandal “dashnoresh” fundi politik i Ramës? Miqtë tanë amerikanë tani e kanë këtë mundësi. Ata mund ta detyrojnë Ramën të dorëhiqet. Faktor tjetër brenda vendit për ta detyruar Ramën të ikë nga pushteti zor se gjen. Kjo pasi opozita është e përçarë dhe të gjitha levat e shtetit janë në dorën e Ramës.
P. S. Ah, women. They make the highs higher and the lows more frequent. (Friedrich Nietzsche)
© Ilir Gjini

















