Kauzat e protestës - Nga Behar Gjoka
Unë isha në protestë (që u kthye në miting), si në shumicën e tyre, të zhvilluara në vitet e kinse demokracisë allashqiptarçe. Isha se mendoj që të protestosh është e drejtë njerëzore, përballë një pushteti të dhunshëm, që ka futur në xhep pushtetin qëndror, vendor, hapësinor, tokësor, nëntokësor.
Isha në protestë jo prej thirrjes së Berishës apo pranisë së Metës, po se përballë një krize totale, politike, ekonomike, shoqërore, morale, ku shqiptarët vetëm ikin, ku shqiptarët vetëm vidhen, dhunohen, si mund të heshtet, si mundet të mbyllen sytë dhe mendja. Qytetari shqiptar është përballë një shteti hajdut, me një administratë hajdute, me kontrollorë hajdutë, jo xhepista, po hajdutë të shpirtit, të ditëve tona, të sotmes dhe ardhmërisë.
Unë isha në protestë dhe në atë hapësirë të bulevardit, në pjesën e kodrinave të Erionit të bashkisë (aty i thonë Parku Rinia), në krahë vëllezërve Frashëri kishte protestues. Altoporlantët e pushtetit, numëruesit e zellshëm, thërrasin ishin pak, ishin gati 10,000 dhe duken pak në të drejtën e tyre të protestës.
E vërteta e numrit është pak më ndryshe. Po, ishin më tepër se “numërimi” i zyrtar i medias që nuk varet nga vetja, po varet në “poturet” e pushtetit të Ramës. Jam i bindur se në atë hapësirë në bulevard dhe anash tij, kishte me tepër se sa numri zavall i puthadorëve të pushtetit.
A ka kauzë për protestë? A ka gjë më të vlertë se sa të protestosh kundër korrupsionit të shtrirë në çdo pore të shtetit dhe pushtetit? A ka gjë më të domodoshme se e drejta e votimit në liri, e votës jo të blerë, jo të dhunuar, e votës së lirë pa dhunimin e politikës? A ka vlerë më të madhe se të mbrosh demokracinë, të drejtat njerëzore? A ka gjë më të bukur se të duash atdheun, të duash fëmijët, të duash prindërit?
Zullumi është trashur, “fama” e zezë e Ramës, e bëmave të tij, e bashkëpunimeve dhe bashkëpunëtoreve, ka kapërcyer Mesdheun, Atlantikun.
Numri ka vlerën e vet, por kauzat janë më të rëndësishme. Protesta është liri, është shenjë se e keqja ka gjasa të ndalet, të mos biem nga shiu në breshër, nga breshëri në borë, nga bora në akull. Demokracia në Shqipëri ka rrëshqitur në akull. Secili ka përgjegjësinë e vetë, përgjegjësi si qytetar.
© Behar Gjoka





















