Blog

Opozita me autorizim - Nga Ilir Gjini

 

Autorizimi për brezin tim që fëmijërinë dhe rininë e hershme e kaluam në socializëm, ishte një gjë e shenjtë. Për fatin tonë të keq, ne nuk i njihnim shenjtorët e besimeve fetare.

Shenjtorët për ne ishin: “Udhëheqësi”, “Partia”, “Mësuesi” si dhe “Autorizimi”. Autorizimi qe një copë biletë që dikur quhej triskë e më pas tallon, që të lejonte të blije një pako kafe, ose një kilogram mish në muaj te ushqimorja e lagjes. Madje edhe televizorin apo frigoriferin nuk mund ta blije pa autorizim.

Më kujtohet që im atë në verën e vitit 1974 erdhi në shtëpi gjithë gaz. Në duar mbante një copë letre sikur të kish fituar llotarinë e ndërmarjes dhe dridhej nga emocioni që pas shumë përpjekjesh kishte siguruar autorizimin për të blerë televizor. Madje pa e blerë akoma televizorin, erdhi dhe na uroi për autorizimin e gjithë mëhalla.

Sot teksa po shihja Alibeajn te këto debatet-muhabet e mbrëmjes në tv, me autorizimin e partisë në xhep, nuk di pse mu kujtua sërisht letra e shenjtë e autorizimit për televizorin. Kaq e shenjtë qe ajo copë letër për ne, sa e shikonim me admirim dhe na dukej sikur shikonim ekranin e tv-së. Edhe për Alibeajn kaq e shenjtë është letra e autorizimit që i paska lëshuar Luli Basha një vit para, sa i duket sikur është kryetari i PD-së.

I duket sikur i ka fituar edhe zgjedhjet. Madje i duket sikur për çështje orësh do jetë edhe kryeministër. Vetëm se autorizimi që ia ka lënë amanet në “frymën e fundit” Basha, ia ka vulosur Gjykata e Apelit (asgjesimit të opozitës), firmosur nga Rama dhe futur në një kornizë të bukur nga Yuri Kim, nuk i ka brenda edhe anëtarët. Ata në shumicë dërrmuese i ka Sali Berisha. Grata apo “non grata”, me ose pa autorizim nga gjykata apo Yuri Kim, me vulë apo me shkrim, anëtarësia është te Sali Berisha. 

Prandaj “epopeja” e fundit e Enkeledit që nuk besoj se rrjedh nga fisi i Enkelejdëve, është që të mbyllë siparin e opozitës dhe t’ia dorëzojë të gjithë pushtetin lokal Ramës. Por edhe pse këto veprime do kenë pasoja, nuk do të mund ta mbyllin opozitën dhe opozitarizmin në Shqipëri. Opozita është si puna e magnetit që sado që ta ndash në copa, ato sërish do tërheqin metalet duke i lënë copat e letrës (edhe kur kanë autorizime) t’i marrë era.

Pas dy vitesh opozita, me vulë apo pa vulë, me emrin PD ose Partia e Dhjetorit 90-të, do përballet sërish me regjimin, ndërsa Enkeledi sërisht do mbajë si relike vulën. Do shtrëngojë në gji autorizimin. Do përmendet nja dy ditë nga mediat e regjimit dhe pastaj do nxjerrë një lajmërim: “Jam Enkeledi, më ka humbur vula. Kush ta gjejë ta dorëzojë menjëherë te kioska ku shiten gazeta pranë Lanës. Ju lutem mos më quani vulëhumbur. Unë do ta gjej vulën dhe do ia lë trashëgim prapë Lulit”.

© Flasshqip.ca

*Karikatura nga Bujar Kapexhiu