Blog

Lul Kishoti i PD-së së Mançës - Nga Ilir Gjini

Kur shikon veten në pasqyrë, secili prej nesh vështron portretin e vet dhe mundohet ta zbukurojë disi duke krehur flokët, ose duke i dhënë një ngjyrosje thinjave kur na kalon mosha. Por, kur vështrojmë veten në pasqyrën e ndërgjegjes, zbukurimi nuk ka asnjë vlerë. Për disa njerëz apo përsonazhe publikë me ndikim në jetët e shumë njerëzve, transformimi është kaq i madh, saqë nuk e njohin më portretin e tyre. Kaq shumë gënjeshtra thonë, sa edhe kur rrallë e për mall thonë ndonjë të vërtetë, ajo në buzët e tyre që kanë thënë kaq shumë gënjeshtra, e humbet tigullin e të vërtetës.

Kjo po ndodh edhe sot me portretin e kryetarit asnjëherë të dorëhequr të PD, Lulzim Basha.

Njeriu që gjithmonë qesh edhe kur duhet të qajë, ka thënë kaq shumë gënjeshtra, sa që edhe kur thotë ndonjë të vërtetë, ajo sërish tingëllon e gënjeshtërt. Pyetja që lind natyrshëm është: A e shikon ndonjëherë veten në pasqyrën e ndërgjegjes Lulzim Basha? Sigurisht jo. Edhe kur u përbetua se do ikte, në fakt u largua në prapaskenë duke na lënë në skenë shërbëtorin e tij besnik Enkelejd Sanço-Alibeaj.

I vetmi që u dorëhoq me dhimbje, qe roja i portës së PD. Madje sportelisti i vjetër i PD, i bëri një letër pulike: Ku t’i kërkojë rrënjët e tua Lulzim? Te marrëveshja e hapur e 17 kulisave të Majit me Ramën, apo te takimi i shokëve tanë ilegale me Ballën? Te betimi që vetëm po të kalojë mbi trupat tanë te Teatri, ndërkohë që natën e “dezhurnit roje” ia fute gjumit? Te tani fillon beteja pas zgjedhjeve të 21 Prillit?  Apo te bashkimi i votave me Ramën për ligjin e vettingut?

Ka kaq shumë gënjeshtra e dështime në rrugëtimin e tij politik, saqë Lulzim Basha duhet të kërkonte falje me përulje para demokratëve. Por jo vetëm falje nuk kërkoi, por si një Don Kishot i emëruar i pushtetit, iu kthye sërish “dashurisë” së tij - PD, e njohur ndryshe si “Dylqinja e Vulës”. Me disa “të fortë” që shajnë mbarë e prapë deputetët, që u panë me shkopinj kur mbronin portat e blinduara të PD, Lulzimi do rrëmbejë një copë nga ngastra e mbetur e Partisë Demokratike.

Kjo ardhje e Lulit në krye të PD, është një lajm i hidhur për opozitën dhe opozitarizmin. PD do dobësohet edhe më shume dhe me shume gjasa dyshja Rama-Doshi në zgjedhjet e vitit 2025, do të ketë jo vetëm mazhorancën, por nje shumicë që mund të bëjë edhe ndryshime kushtetuese. “Drejtësia e re”, do dënojë ndonjë Dako të lëshuar nga pushteti për t’i dhënë ca ditë burg, sa për të kënaqur turmat e pakënaqura që kërkojnë drejtësi, ndërsa i gjithëpushtetshmi Rama do vazhdojë të korrë “fitorje pas fitorje” me opozitën e emëruar.

Në vend të Guvernatores Yuri që qeshte vend e pa vend, do vijë ndonjë burrë i “pjekur”. Ai nuk do shkojë p.sh. te oborri i non gratës Tom Doshi për t’i kujtuar PSD-istëve barin po votuan Doshin. Jo… do shkojë te oborri i “Dylqinjës së Vulës” për të bekuar me përkrahje amerikane Lul Kishotin e PD-së së Mançës.

© Ilir Gjini