Blog

Betonizimi masiv i Tiranës - Nga Ervina Toptani

Po shihja me vëmendje betonizimin masiv të Tiranës, me optikën e krahasimit me qytete të tjera të Europës Juglindore në ndërtim edhe ato. Tirana jonë duket se e ka "përqafuar" kapitalizmin në formën e tij më të shëmtuar, në shfaqjen masive të tullave e llaçit pa kurrfarë kulture e vizioni arkitekturor, për t'u shkruar në mendjen e njerëzve e kujtesën e brezave si "koha kur injoranti akut dëshironte patjetër të pasurohej e të bëhej aristokrat".

Këta tipat që ne me votën tonë "të lirë" zgjedhim në pushtet, kapitalizmin e kanë kuptuar si rrëmuja që kanë krijuar, një kaos mes konfliktit për hapësira dhe kërkesave që rriten mbi rrënojat e qytetit të shkatërruar tashmë. Këta kanë shkatërruar plotësisht marrëdhënien e qytetit me banorët e tij. Kur ndodh kjo gjithçka tjetër ka mbaruar. "Spektakli" prej kullash betoni e llaçi sintetik nuk do të jetë kurrë një imazh i krijuar dhe i përfunduar. Ai mbetet gjithmonë qasje e një bote në garë me të tjerat, një bashkim që përplaset me rezistencën e formave të ndryshme e tepër kundërshtuese të praktikës sociale. Këta e shohin të vërtetën nëpërmjet verbërisë, japin shembullin e keq që nga maja e shtetit dhe mendojnë se ai shembull nuk do të ndiqet prej të tjerëve. Mbjellin plumb e presin të vjelin flori. Ndërgjegja e shumicës së njerëzve, ka kohë tashmë që është modeluar sipas asaj të kreut të shtetit.

E them këtë duke ditur shkakun se paraja është një mënyrë të menduari (një formë e shprehjes së domethënies) ashtu sikurse është dhe një mjet transaksioni (sistem shkëmbimi), edhe ata që nuk janë korruptuar përkulen prej parasë, ndërsa ata që janë korruptuar zhyten krejtësisht në korrupsion. Ia dolën që dhe kapitalizmin, demokracinë, shtetin e së drejtës e humanizmin politik ta kthejnë në despotizëm. O Perëndi çfarë ke lejuar të ndodhë!

Më kujtohet çfarë shkruan Viktor Hygo tek kapitulli i VI i "Napoleonit të Vogël" që i përshtatet më së miri politikanëve tanë në pushtet:

"Arti i tyre është të shtirurit si të vdekur. Ata qëndrojnë të heshtur e të palëvizshëm duke vështruar pikërisht në anën e kundërt të objektit të vëmendjes së tyre deri sa vjen çasti për të vepruar. Atëherë kthejnë kokën rrëmbimthi dhe i hidhen prèsë, e cila s'ka kohë të lëshojë asnjë britmë."

Sistemi i betonit e llaçit që këta krijuan për t'u pasuruar vetë, krijoi në varg njerëz të vegjël, më shumë sesa i kishte shndërruar komunizmi. Represioni universal që solli diktatura 50 vjeçare, lulëzoi frutet e saj të kalbura në shpirtin e shumë shqiptarëve, të cilët u shndërruan në shembuj konkretë që duket sikur kanë dalë nga varri i Makiavelit.

© Ervina Toptani