Blog

Vitaliteti i Kosovës - Nga Bamir Bebeziqi

Megjithëse të përçmuar, të përçudnuar, mësimkufizuar, të drejta të mohuara, të braktisur nga gjithë bota, shpirtin atij populli nuk mund t'ja marrin. Dhe ne, të krahut tjetër që kemi më shumë se 111 vjet shtet të lirë e të pavarur dhe e kemi "ndritur", shpesh i etiketojmë sot pa menduar shumë, me lloj-lloj emrash, si të pakulturuar, të paedukuar, nganjëherë përdorim edhe fjalë fyese në drejtim të tyre. A e kujtoni se nga goja e kujt doli fjala e ndyrë "shpellar"?

Im atë më thoshte shpesh: "Jo më kot, kur i ndanë trojet shqiptare e lanë Kosovën në anën tjetër. I hoqën Shqipërisë pjesën më vitale, më shqipdashëse, fare pak të përzier në ADN me hordhitë e huaja, që ndër shekuj kanë zaptuar këtë tokë."

Nuk ka shtet në botë, me popullsi sa të Kosovës, një dekadë e gjysëm shtet, që të fitojë në dy olimpiada me radhë, tri medalje ari. Ku jemi ne modernët dhe të gjithëditurit?

Një vajzë Kosove, e cila perfaqëson Suedinë shkëlqeu në olimpiadë e më bëri mua shqiptaro-kanadezin të dridhem në atë ndeshje të madhe finale të futbollit për femra ne Tokio. Nuk besoj se e nuk e kujtoni Kosovare Asllanin. Po Fatmira Bajrami që luante për kombëtaren gjermane?

Vetëm Majlinda Kelmendi në kaq pak vite shtet të Kosovës, ka marre 46 medalje në aktivitetet ndërkombëtare, prej te cilave 32 ari. Kaq medalje ndoshta nuk ka marrë Shqipëria, në 111 vjet shtet.

Era Istrefi hapi kampionatin botëror të futbollit në Rusi. Të gjithë e kujtojmë se sa vështirë e pati që të shkonte, pasi nuk e pajisnin me vizë, e përse? Pasi ishte kosovare. E kush e pengonte? Ah po, e pengonin ata që sot flasin për të ardhmen e që të harrohet e shkuara.

E kujtoni presidentin e vendit kryesor te nismës,"Ballkani i hapur", kur dy shqiptarët që përfaqësonin Zvicrën shënuan dy gola ne një ndeshje futbolli si na etiketoi? Rracë e shëmtuar na tha. Haha! Të shëmtuar, Dua Lipa e Lorik Cana, Granit Xhaka e Dren Abazi, Ramë Lahaj e Tony Dovolani apo Kosovare Asllani e Majlinda Kelmendi.

Muzika tallava ka ardhur nga shqiptarët e Kosovës, dëgjohet të thuhet shpesh. Nga, nga?

Sa herë që kam nevojë të qetësoj veten nga presioni i madh i jetës, jo rrallë e gjej qetesinë tek një këngëtar shqiptar prej Kosove, i cili më duket se i ka brenda të gjithë motivet që të pastrojë sadopak pluhurin prej shpirtit tim. Ai djalë Kosove, që zoti i ka dhënë edhe paraqitjen, edhe zërin e ëmbël, me një muzikë që nuk më vret veshin, me një muzikë që ka motive sa popullore, sa ritme të gëzueshme, sa të trishtueshme, bile herë herë ndikuar edhe nga muzika e pavdekshme cigane, është bërë nga pak, nga më të pëlqyerit për mua.

Sa do të kisha dëshirë sot, që në një tavernë në Durrës, përpara një birre të mrekullueshme "Korça", të dëgjoja Dren Abazin, jo Bregoviçin!

© Bamir Bebeziqi