Blog

Kulla e Sahatit: Letër dashurie - Nga Klara Metohu

E kam dashur gjithmonë Kullën e Sahatit të Tiranës. Kur isha fëmijë ishte gjëja e parë që shihja, sapo dilja në rrugën time të “Kavajës”; sytë më shkonin menjëherë, drejt e tek ajo. 

E kam parë dhe më ka parë të rritem, të dashurohem, të martohem, të kem fëmijë. Ajo ka ndjekur gëzimet, shpresat dhe frikën time, ëndrrat dhe realitetin tim, qenien time.

Mirëpo fati e solli të jem larg... por sa herë vij në Tiranë është gjëja e parë që vrapoj të shoh dhe një ndjenjë e pamatë gëzimi më përshkon.

Kulla e dashur e Sahatit është përsëri aty, thuajse si e vetmja bukuri e mbetur nga ajo Tiranë që pres të shikoj, por që s’është më… dhe më duket sikur ajo më pëshpërit:

-Po të prisja…

Kulla e Sahatit nuk është thjesht një matës kohe apo një monument. Është legjendë, simbol, kujtim, dashuri që flet dhe më tregon historinë e qytetit tim, kulturën e popullit tim, shpirtin e kombit tim. Ajo qëndron krenare në zemër të Tiranës, pranë Xhamisë së Et'hem Beut, si një dëshmitare e ndryshimeve dhe e sfidave, që i ka mbijetuar ndryshimeve politike, sociale dhe urbane gjatë dy shekujve të fundit. Më frymëzon të jem krenare për rrënjët e mia, të vlerësoj e të nderoj paraardhësit e mi. Më tregon bukurinë e çdo momenti, vlerën e çdo ore, kuptimin e çdo dite...

Kulla e Sahatit është burim frymëzimi për studiuesit, për historianët, për shkrimtarët dhe për artistët. Ajo është elementi kryesor i kujtesës kolektive të Tiranës, që lidh brezat e ndryshëm me historinë dhe me traditën e tyre, një simbol i identitetit dhe i vlerave të tiranasve.

Kulla e Sahatit ka qenë dëshmitare e gëzimeve, e takimeve të të dashuruarve, të cilët kanë “vulosur” përqafimet dhe puthjet e tyre, nën hijen e ndriçimit të saj, nën tingëllimën e orës së saj.

Kulla e Sahatit të Tiranës është më shumë se një kullë. Ajo është simboli dhe dashuria e qytetit, është pikë parësore referimi për banorët dhe vizitorët e Tiranës, është një nga vendet ku aparatet fotografikë shkrepen pa pushim; atë bëj dhe unë sa herë e shoh.

Mirëpo çfarë shikoj tani?! E kanë rrethuar Kullën e Sahatit me kulla! Si ka mundësi, o të paudhë e të pangopur?! Një lëmsh më mblidhet në fyt, shikimi më turbullohet… por i kapërdij lotët.

Kulla e Sahatit shkëlqen indiferente në madhështinë e saj, në bukurinë e saj dhe i tregon orën gjithësekujt, orën që do të vijë pa dyshim.

Ajo është aty dhe unë do të vrapoj sërish drejt saj.

Kulla e Sahatit është një letër dashurie për qytetin tim, për shtëpinë time, për shpirtin tim. Është një pjesë e qenies time dhe unë jam pjesë e saj, sepse është Kulla e Sahatit të Tiranës, qytetit më të dashur në botë.

Tiranë! Ti je shtëpia ime dhe mezi pres të të shoh përsëri…Të dua!

 

© KlaraMetohu/Flasshqip.ca