Blog

Burrat e vegjël që vranë fisnikërinë e jetës - Nga Ervina Toptani

Njeriu para se të jetë një event sociologjik është një event strukturor, pa njohjen e të tjerëve nuk e dimë kush jemi (prej këtej ndërtohet dhe një pjesë e rëndësishme e identitetit individual të gjithësecilit). I pari që ka marrë pozicion të qartë për këtë temë ka qenë Platoni, i cili e ndau shpirtin (psikën) në 3 pjesë: një pjesë i atribuohet zemërimit, një pjesë dëshirës seksuale (në fenë kristiane ai që quhet mëkati fillestar) dhe pjesa e tretë i dedikohet fisnikërisë, kurajos dhe nderit. Dhe pikërisht këtë pjesën e fundit ai e quan Timika, duke u mbështetur tek rrënja e fjalës ndjenjë. Nuk është diçka romantike por është konsiderata që dikush ka për veten. Kjo e fundit i atribuohet vetëm njerëzve, sepse fisnikëria e shpirtit, kurajo dhe nderi janë atribute vetëm njerëzore.

Cilët janë ata që kanë fisnikëri shpirti? Platoni thotë se janë ata që luftojnë për parimet e tyre të drejta, për vlerat dhe virtytet deri në fitoren ose në vdekjen e tyre. Pra ka një konsideratë të veçantë për fisnikërinë, vlerat dhe virtytet që arrin deri në figurat ekstreme, fitorja dhe vdekja. Në Antikitet thuhej se Ares, perëndia e luftës, i kursente të poshtrit, mashtruesit, burrat e këqinj dhe merrte vetëm fisnikët dhe heronjtë në mbretërinë e tij. Një luftëtar si Aresi sigurisht që vetëm më të mirët do të zgjidhte. Të tjerët i mbeten njerëzimit këtu poshtë.

Ky motiv është diskutuar edhe prej Hegelit i cili flet për nevojën absolute që ka njeriu për t’u njohur tek të tjerët, në këtë aspekt. Ai thotë: “ndërsa kafshët vrasin prej urisë, njerëzit vrasin për të qenë të afirmuar, për t’u njohur e dalluar prej të tjerëve, që të ushtrojnë dominimin e tyre nëpërmjet forcës kombinuar shpesh edhe me dinakërinë, që kjo t’iu njihet si vlerë e të quhen prijës, lider (politikanët tek ne janë ilustrimi më i mirë i thënies së Hegelit).

E gjitha kjo, fisnikëri shpirti, forcë e kurajo për të mbrojtur parimet dhe vlerat, në një luftë që të çon o drejt fitores o drejt vdekjes u shkatërrua prej kultit të barazisë. Niçe thotë se barazia nuk është gjë tjetër përveç moralit të të dobtit, paguximshmëria e të dobtëve të cilët nuk kanë kurajon të dalin përmbi me vlerat dhe virtytet e tyre, me mençurinë dhe fisnikërinë e shpirtit dhe kanë rregulluar me ligj që të gjithë njerëzit janë të barabartë. Lind në këtë pikë morali i skllavit. Aty hyjnë të gjithë ata njerëz që nuk kërkojnë bukurinë e jetës nëpërmjet fisnikërisë së shpirtit, mbrojtjes së të drejtës dhe njohjes së meritës së më të vlefshmëve në të gjitha fushat e caktuara, por që duan të ruajnë vetëm jetën, nuk ka rëndësi nëse ajo është jetë qeni apo jo.

Morali i skllavit (me vdekjen e Zotit së cilës i duhet kushtuar një shkrim më vete, marrë si filozofi prej “Kështu foli Zarathustra) u trashëgua në demokracitë liberale dhe ato socialiste, sepse këto rryma politike kanë vendosur që njerëzit janë të gjithë të barabartë përpara ligjit (por ne e dimë mirë që disa prej tyre si politikanët, oligarkët, vrasësit e rëndësishëm, mafiozët etj. nuk janë dhe aq të barabartë përpara ligjit si ne të tjerët) madje sistemet socialiste kërkonin që njerëzit të ishin dhe të barabartë ekonomikisht. Kjo figurë barazie në thelb është vdekja e fisnikërisë, e njeriut të vërtetë që përbëhet nga vlerat dhe virtytet, prej të cilëve njohim dhe heronjtë. Njeriu dhe fisnikëria që i përket vdesin ditën që lindi barazia.

Niçe thotë se lumturinë e shpikën njerëzit e vegjël, ideali i jetës së të cilëve është të nxjerrin parà e kënaqësi për të kaluar ditën e pastaj edhe ca për të kaluar natën, e kështu me radhë. Kjo është vlera e tyre e vetme, nëse mund të quhet vlerë. Dhe janë pikërisht ata që trumbetojnë se kanë shpikur lumturinë.

Koncepti i tyre mbi lumturinë është ai që shoh të artikuluar shpesh tek bashkëqytetarë, miq e të njohur të mi që kur flasin për disa njerëz në veçanti, ata të pasurit, i mendojnë të lumtur apriori duke pranuar si zgjidhje të gjithçkaje në jetën e tyre paratë që këta njerëz zotërojnë. Një e mirë simbolike siç është paraja, a arrin vallë ta blejë lumturinë, këtë lumturi të rreme që kanë krijuar pikërisht njerëzit e vegjël duke vrarë fisnikërinë tek njerëzit e vërtetë e duke u përpjekur që të shuajnë dhe kujtimin mbi ta që të mos dallohet poshtërisa e njeriut të vogël pa asnjë vlerë i cili shpiku lumturinë që vjen prej parave e shitjes së vlerave.

Këta nuk janë njerëzit fisnikë, këta janë bijtë e barazisë, janë shprehja më e degraduar e moralit të skllavit, janë ata që në vend të fisnikërisë, nobilitetit të shpirtit e jetës që duhej ndërtuar bazuar tek këto të fundit e fisnikërisë së mendjes, preferojnë vetëm ruajtjen e vazhdimësinë e jetës së tyre, shpesh në dy thasë parash (ia vënë vetë çmimin vetes zakonisht).

© Ervina Toptani