Zjarrvënësi i Veriut të Kosovës quhet Aleksandër Vuçiç - Nga Enver Robelli
Ka një tendencë madje edhe në mediat e pavarura serbe, që për sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës të shfajësohet Vuçiçi, duke ia ngarkuar fajin “strukturave”, “shërbimeve”, shefit të shërbimit sekret Vulin dhe ministrit të Mbrojtjes Gashiç, grupeve të fuqishme kriminale në Veri të prira nga Millan Radojçiçi etj. Ka edhe bjerrakohës të tjerë që notojnë nëpër moçalin e botës digjitale dhe “analizojnë” se Vuçiçi nuk ka pasur interes të ndodhë kjo.
E vërteta është kjo:
- Vuçiçi e ka bashkëpunëtor të ngushtë Vulinin, të cilin e ka emëruar shef të Shërbimit Sekret BIA. Më parë ai ka qenë ministër i Mbrojtjes dhe i Brendshëm
- Vuçiçi ka vite që mbron me të gjitha mjetet dy krerët e mafies në Veri të Kosovës: Millan Radojçiçin dhe Zvonko Veselinoviçin. Të dy janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës
- Grupet kriminale serbe në Veri nuk do të ishin kaq të fuqishme pa përkrahjen e regjimit të Vuçiçit
- Edhe po të mos kishte interes të ndodhë kjo tani, Vuçiçi eka krijuar një monstër kriminale në Veri dhe kjo monstër herët apo vonë kryen vepra monstruoze
- Çdo serb i Kosovës (sidomos në Veri) që ka guxim të jetë luajal ndaj shtetit të Kosovës, është i rrezikuar nga strukturat kriminale të kontrolluara nga Beogradi. Këtë e tregojnë djegia e veturave të serbëve që kanë pranuar targat e Kosovës dhe arrestimi në Serbi i serbëve kosovarë që punojnë apo bashkëpunojnë me institucionet legale të Kosovës. Në Graçanicë, për shembull, përkrahësit e Vuçiçit e terrorizojnë edhe një fëmijë serb që luan futboll me bashkëmoshatarët e tij shqiptarë
- Paraqitja teatrale e Vuçiçit mbrëmë para mediave në Beograd tregoi, mes tjerash, me sa vijon: 1) sulmin terrorist presidenti serb e quajti “kryengritje” kundër zullumit të Kosovës dhe kësisoj, në fakt, e arsyetoi vrasjen e policit kosovar, 2) u mllefos që një gazetare e pyeti për uniformat e terroristëve, duke thënë se ato s’ishin të forcave serbe të sigurisë dhe se mund të blihen kudo, 3) gjerë e gjatë u mor me mjetet e transportit të terroristëve duke pretenduar se bëhej fjalë për disa automjete civile të modifikuara - fotografitë tregojnë të kundërtën. Ky aksion terrorist nuk është përgatitur gjatë fundjavës... Municioni, armatimi, pusia e ngritur nga terroristët, ikja e tyre në manastir me tendencë për të shkaktuar gjakderdhje duke i marrë peng besimtarët civilë - janë shenja të qarta për një aksion të përgatitur me javë, në mos muaj dhe me prapavijë jo vetëm logjistike në Serbi
- Marrë parasysh të gjitha këto, zjarrvënësi e ka një emër: ai është Aleksandër Vuçiç. Pas aksionit kriminal në Veri, pas konferencës së mbrëmshme për media (me pauza dramatike, shfryrje qesharake, krekosje, gënjeshtra, manipulime, shtirje, luajtje të rolit të viktimës) - sot Vuçiç takoi ambasadorin e Rusisë në Beograd. Një takim koordinues pas krimit terrorist në Veri të Kosovës...
- Roli destruktiv i Serbisë në Veri të Kosovës nuk ka marrë fund dje. Ekziston rreziku që gjendja të përshkallëzohet. Autoritetet e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshme për këtë. Maturi dhe vendosmëri maksimale, përfshirë dialogun dhe koordinimin me faktorët relevantë ndërkombëtarë
- Nëse disa nga terroristët sulmues kanë arritur të ikin në Serbi, Kosova duhet të insistojë që ata të ekstradohen në Kosovë ose të ballafaqohen me ligjin në Serbi (ka pak gjasa të ndodhë kjo). Por është e drejtë legjitime e Kosovës të kërkojë ndëshkimin e terroristëve - siç i quajti edhe Bashkimi Europian.
Ekziston rrezik i madh që Beogradi, pasi i dështoi aksioni terrorist në Veri të Republikës së Kosovës, të shkaktojë tensione të tjera në Kosovë, të inskenojë incidente apo t’i joshë shqiptarët për të rënë në kurthe të ngritura nga shërbimet sekrete serbe (dhe ruse). Kuazidiktatori serb e interpretoi terrorizmin e bandës serbe në veri të Kosovës si "rezistencë të serbëve", ndërsa sot u takua me ambasadorin e Moskës në Beograd.
Duhet kujdes maksimal dhe punë maksimale e forcave të sigurisë dhe inteligjencës në Kosovë për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për çdo qytetar. Politikanët duhet të shmangin çdo gjest azganie dhe krekosjeje. Me përgjegjësi duhet të sillet edhe çdo qytetar/qytetare i/e etnisë shqiptare - sidomos ndaj komuniteteve pakicë. Për shumë serbë të cilët janë luajalë ndaj shtetit të Kosovës, të cilët duan dhe kanë të drejtë të jetojnë në vendlindjen e tyre, situata është e vështirë. Ata terrorizohen nga regjimi i Vuçiçit. Ata stigmatizohen nga ithtarët e Vuçiqit. Ata keqtrajtohen kur shkojnë në Serbi. Siç e përmenda, ata njollosen si tradhtarë nëse fëmijët e tyre luajnë futboll me shqiptarë të Kosovës. Më 2021 afër Graçanicës u rrah djali i politikanit liberal serb Nenad Rashiç.
Shumica shqiptare në Kosovë duhet t’i ketë parasysh veçanërisht ata serbë që duan një jetë normale dhe respektojnë ligjet e Kosovës. Ata meritojnë respektin, përkrahjen dhe mbrojtjen nga institucionet e Kosovës dhe nga çdo qytetar i ndërgjegjshëm. Shumica përherë ka më shumë përgjegjësi për pakicën se sa e kundërta. Lufta ka marrë fund para një çerekshekulli. Lojërat terroriste, mafioze dhe kriminale të politikanëve të Beogradit të etur për gjak e trazira nuk duhet të kenë vend në Kosovë.
© Enver Robelli - KOHA





















