Blog

Një Gjykatë Speciale Ndërkombëtare për bandën terroriste të Milan Radoiçiç - Nga Enver Robelli

1. Në hyrje të fshatit Banjskë gjendet një kamion i dëmtuar, raporton Radio Europa e Lirë (RFE). Kamioni bart logon “VS Energy”. Hulumtimet e këtij mediumi kanë treguar se kjo firmë është partner biznesi me ndërmarrjen “Novi Pazar-put”. Pronarë të kësaj firme janë Milan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviç dhe vëllai i tij Zharko Veselinoviç. Armët, automjetet dhe dokumentet e konfiskuara tregojnë për një operacion të përgatitur dhe sipas të gjitha gjasave të përkrahur jo vetëm me logjistikë nga shteti serb.

2. Në paraqitjen e mbrëmshme teatrale në televizionin shtetëror serb RTS, presidenti i Serbisë tha se qe një vit ka pasur informacione se serbët po përgatisin, siç tha, kryengritje. Domethënë presidenti i shtetit serb e pranoi se ka qenë në dijeni për përgatitjet për sulm terrorist ndaj Kosovës.

3. Në paraqitjen e mbrëmshme Aleksandar Vuçiç i sulmoi brutalisht serbët e Kosovës që janë luajalë ndaj shtetit të Kosovës. Ai i krahasoi ata me serbët që kanë bashkëpunuar me regjimin pronazist të Ante Paveliçit në Kroaci gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pa asnjë dëshmi dhe me ton propagandistik aludoi se “në ngjarjet në Banjskë” mund të kenë gisht shërbimet e huaja (perëndimore). Një metodë propagandistike serbe për të prodhuar mjegull.

4. Avokati Ivan Niniç i tha “Deutsche Welles” se “një strategji dalëse për Vuçiçin, por edhe për Radoiçiçin dhe persona të tjerë që me sa duket janë në trajtim mjekësor - mund të jetë një marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajit. Kësisoj do të shkonin në burg dhe praktikisht do të ishin nën mbrojtje”. Kjo, sipas Niniç, ka ndodhur disa herë kur bëhet fjalë për njerëz të botës kriminale - një person dënohet për posedim ilegal të armëve apo falsifikim dokumentesh në mënyrë që të pengohet ekstradimi në një shtet tjetër apo hapja e proceseve gjyqësore për vepra më të rënda.

5. Autoritetet e Kosovës duhet të insistojnë që terroristët serbë të involvuar në sulmin kundër policisë së Kosovës ose të ekstradohen në Kosovë (vështirë e mundshme për shkak të refuzimit të Serbisë) ose të dalin para një gjykate ndërkombëtare. Këtë gjykatë mund ta themelojë OKB, siç ka bërë, për shembull, kur më 2005 në Liban u vra ish-kryeministri Rafik Hariri dhe 22 persona të tjerë. Kjo gjykatë e ka selinë në Hagë. Një gjykatë e tillë kundër bandës së Radoiçiçit mund ta ketë selinë po ashtu në Hagë, në Vjenë apo në Gjenevë. Ekziston rreziku që Serbia t’i dënojë formalisht dhe lehtë disa nga pjesëmarrësit në sulmin ndaj Kosovës, përfshirë Radoiçiçin, dhe kështu t’i shmanget një skenari që përfshin hetim ndërkombëtar dhe eventualisht edhe procese ndërkombëtare nën ombrellën e OKB-së. Autoritetet në Prishtinë duhet të jenë të vetëdijshme për këtë dhe duhet të kërkojnë urgjentisht ekspertizë ndërkombëtare nga juristë të shquar për strategji juridike. Presidenti serb i tha agjencisë “Reuters” se Serbia “do të hetojë ngjarjet që çuan te të shtënat me armë në Kosovë”. Por Serbia si palë që e ka sponsorizuar sulmin nuk është e pavarur për ta hetuar atë. Rrjedhimisht, hetimi duhet të kryhet nga një trupë e pavarur ndërkombëtare.

***

1. Në një shkrim të revistës “Vreme” shtrohet pyetja: prej nga bazuka automatike në fshatin Banjskë? Revista citon kolonelin e pensionuar Najdan Vojinoviç, i cili thotë se për 15 sekonda mund të verifikohet se nga cila njësi rrjedh granatahedhësi automatik i cili u gjet në Banjskë. Por a ka gatishmëri shteti serb ta bëjë këtë? Ekzistojnë dyshime të mëdha. Revista “Vreme” supozon se si zakonisht autoritetet do t’ia prezantojnë opinionit ndonjë oficer të rangut të ulët, të pensionuar, për të cilin do të thonë se e ka “shitur” armën dhe se kundër tij “kanë filluar procedurat”. Me atë rast emri i tij nuk do të bëhet publik, por vetëm inicialet.

2. Një ndër titujt më të qëlluar pas sulmit të paramilitarëve në Veri të Kosovës vjen nga revista “Vreme”: “Milan Radoičić: Arkan za XXI vek” (Milan Radoiçiç: Arkani i shekullit 21-të”).

3. Ndikimi i Radojçiçit nuk është shtrirë vetëm në Veri të Kosovës, këtë e tregojnë disa burime. Në Graçanicë, për shembull, serbët lokalë tregojnë se pothuaj askush nuk mund të punësohet pa miratimin e rrjetit të Radoiçiçit. Po ashtu ata tregojnë se shumë njerëz japin ryshfet në komunë për leje ndërtimi (përfshirë edhe shqiptarët). Një pjesë e parave përfundojnë në xhepat e Radoiçiçit dhe bandës së tij.

4. Pas vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviç më 2018 në Mitrovicën e Veriut, policia e Kosovës bastisi ambientet ku jetonte Radoiçiç. Nuk e gjeti aty, por i gjeti 75 gramë kokainë, siç patën njoftuar mediat kosovare atëbotë. U lëshua fletë-arrest kundër Radoiçiçit, por më 2021 drejtësia kosovare e tërhoqi fletë-arrestin. Ky veprim mbetet tejet misterioz deri në ditët e sotme.

5. Analisti i çështjeve ushtarake Aleksandar Radiç tha në televizionin N1 se është e pamundur që shërbimet serbe të mos kenë ditur për grupin paramilitar të Milan Radoiçiçit.

© Enver Robelli - Koha Ditore