Serbia vazhdon të përkëdhelet e Kosova të sanksionohet - Nga Milaim Nela
Europa vetëm sapo mashtrohet dhe përdoret nga Aleksandër Vuçiç. Ai pas të ashtquajturave zgjedhje në Serbi (që gjithsesi ishin shumë më të mira se ato të zhvilluara në Shqipëri) dhe të cilat ishin krejt të manipuluara iu drejtua publikut serb duke i thënë: Europa po na kërkon njohjen e Kosovës, jemi nën presion të madh. Me këtë Vuçiç i thotë publikut trushpëlarë serb se unë po rezistoj e mbroj Kosovën e po e mbaj atë nën Serbi.
Unë nuk e shoh këtë si shenjë thyerje të Vuçiçit apo paralajmërim se njohja mund apo do të ndodhë sa kohë ai qëndron në pushtet, por përkundrazi ai po iu thotë serbëve dhe po kërkon mbështetjen e tyre siç ka bërë dhe manipuluar opinionin serb gjate gjithë viteve që është në pushtet. Ai po e përdor kauzën e Kosovës si çengel për të mbetur akoma në pushtet. Ai po iu thotë serbeve se Kosovën po e mbaj vetem unë dhe se Perëndimi po e sulmon atë sepse ai nuk po e lëshon Kosovën.
Në Serbi shtetari i fundit që u përpoq të bëjë një marrëveshje përfundimtare dhe të çlirohet nga Kosova ishte Zoran Xhinxhiç. Fati i tij tashmë dihet. Po ashtu dihet çfarë ndodhi kohet e fundit me kryetarin e një partie opozitare serbe, dhunë e pashembullt dhe paralajmërim eliminimi. Ky eshte nje sinjal i qartë nga bandat e Vuçiçit për çdo politikan serb që mendon lëshimet rreth Kosovës.
Janë vetëm dy shtete europianë që kanë reaguar ndaj manipulimit të zgjedhjeve në Serbi, Gjermania e cila e ka kuptuar lojën e pistë të Vuçiçit dhe Britania e Madhe. Të dy këta shtete kane kuptuar se ai nuk ka ndërmend ta europianizojë Serbinë, por veçse të zhvasë investime dhe projekte ekonomike të BE dhe njëkohësisht të vazhdojë armatosjen ushtarake nga Lindja.
Pjesa tjetër e makinerisë së BE mbetet thellësisht proserbe dhe mosreagimi ndaj Serbisë kur kjo e fundit sulmoi ushtarakisht Kosovën përmes bandave terroristo-ushtarake është një shenjë shumë e keqe që kjo Europë vazhdon jo vetëm të mos e “kuptojë” Serbinë, por ta mbështesë atë fuqishëm duke mbyllur syte dhe veshët përballë faktit që ajo po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Të kujtojmë këtu jo vetëm veprimtarinë diversive në Veri të Kosovës, por edhe zhvillimet në Bosnje-Hercegovinë, shtrirjen e ndikimit të Kishës Serbe në Mal të Zi dhe sidomos instalimin e një qeverie proserbe atje.
BE dhe faktori ndërkombëtar jo vetëm nuk e hetuan Serbinë për sulmin në Zveçan, por as nuk pranuan hetimin e organeve ligjzbatuese të Kosovës rreth këtij agresioni ushtarako-terrorist ku provat ishin ulëritëse e jo për t’u neglizhuar. Kjo është një shenjë shumë e keqe dhe sinjal negative i BE ndaj paqes e stabilitetit në Ballkan.
Ndërkohë që Europa plakë mban sanksionet ndaj Kosovës dhe vazhdon t’i mëshojë fort çeshtjes së Asociacionit për komunat me shumicë serbe kemi dy lajme të mira për faktorin shqiptar:
1- Vizita e ministrit të Jashtëm dhe ish-kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Lord Kameron, i cili me pak fjalë dhe mesazhe shumë të qarta në Prishtinë, që Mbretëria e Bashkuar është në mbrojtje të Kosovës dhe integritetit të saj dhe është në krah të shqiptarëve. Lord Kameron ishte gjithashtu shumë i qartë në mesazhet që i dergoi Serbise dhe për rolin e qeverisë së Madhërise së Tij, Mbretit Çarl III në mbrojtje dhe asistencë ndaj Kosovës. Çuditërisht kësaj vizite iu dha shumë pak hapësirë nga media në Kosovë dhe u injorua totalisht nga Tirana zyrtare dhe mediat e saj.
2- Lajmi i dytë që e ka shqetësuar dukshëm Vuçiçin është marreveshja me qeverinë e Shteteve të Bashkuara për blerjen e raketave “Javelin”, të cilat janë armë shumë të sofistikuara dhe moderne në ndihmë të Ushtrisë së Kosovës.
Drafti i Asociacionit mbetet një shqetësim sa kohë që mbahet sekret dhe nuk bëhen publike detajet e tij, nëse krijon një mini republikë Srpska në territor të Kosovës.
Uroj që ky projekt të mos pranohet pa njohje të plotë nga ana e Serbisë dhe pa garantimin e integritetit të sovranitetit të institucioneve të Kosovës mbi çdo pëllëmbë të saj në kufijtë e 17 shkurtit të vitit 2008.
© Milaim Nela

















