Blog

Me kë jam unë? - Nga Ylli Dylgjeri

Më pyesin shpesh: me kë je ti Yll? Më pyesin çdo ditë dashamirës e dashakeqës.

Më pyeti dje dhe një ish-ministër i zbardhur nga thinjat: Me kë të jesh o Yll?

Dhe unë, dua sot t’i përgjigjem çdokujt që në rehatinë e tij, në kuletën e tij, në partinë e tij, e ka këtë kërshëri, e ka këtë kuriozitet, që shpesh na “zë mat” në përgjigje:

Unë sot jam me zjarrin. Ose, unë jam ti fryj prushit që të rindizet zjarri.

Unë nuk jam me mykun.

Unë jam që ngjarjet të zhvillohen në rrjedhë e jo në ujëra të ndenjura, në këneta, në moçale në kuvende me anonimë.

Unë jam që ngjarjet të mos zhvillohen më në banaqet e TV, në kafenetë apo në rrugica.

Unë jam që ngjarjet të shpërthejnë, të vërshojnë në rrugë e bulevarde. Unë denoncoj çdo ditë nën ironinë time.

Por ju kërkoni emër? Kërkoni kush është ai që jam unë?

Dhe prap po ju përgjigjem:

Unë jam me njërin nga ju që do të marrë përsipër ta drejtojë këtë pakënaqësi, këtë urrejtje, këtë revoltë popullore drejt një fitoreje.

Por, ai sot është anonim. Është anonim se jeni dhe ju anonimë.

Nuk jeni zgjuar ju që të dalë ai që jam unë, që je ti, që jemi ne.

Ndaj unë dhe të tjerë dashamirës si unë po ju nxisim ju, që ta pillni atë... që vazhdon të tundet në epruveten e vegjëlisë.

© Ylli Dylgjeri