Blog

Pronarët e të vërtetës dhe kërkuesit e të vërtetës - Nga Enver Robelli

1.

Ka dy lloje njerëzish në këtë botë: pronarët e të vërtetës dhe kërkuesit e të vërtetës. Pronarët e të vërtetës janë njerëz të rrezikshëm. Përpiqen ta diskualifikojnë çdokënd që i kundërshton me fakte. Në fushatën e tyre primitive për të mbajtur në grusht atë që ata e konsiderojnë të vërtetën e tyre të pakontestueshme, të vetëshpallurit pronarë e të vërtetës shkelin çdo vlerë, çdo mendim ndryshe, çdo civilizim, çdo njeri. Toleranca që e propagandojnë nëpër pazarin e ideve është forma më e ndyrë e racizmit dhe ksenofobisë. Pronarët e të vërtetës janë të pagabueshëm - aq të pagabueshëm, saqë edhe kur rrëshqasin në humnerë thonë se po fluturojnë drejt parajsës. Pronarët e të vërtetës janë gënjeshtarë. Nuk duan të zgjidhin asnjë problem. Sepse ky nuk është as qëllimi i tyre. Pronarëve të të vërtetës u duhen armiq. Kur nuk i gjejnë, i shpikin. Despotët e të vërtetës marshojnë me uniforma e me çizme. Interesi i tyre nuk është e mira e përgjithshme publike, por e mira personale. Quhet grabitje! Pas të vërtetës së tyre nuk gjendet mirëqenia publike, por boshllëku. Pronari i të vërtetës nuk e njeh dyshimin. Mashtrimi dhe vetëmashtrimi janë tiparet e pronarit të të vërtetës. Poza e pagabueshmërisë së pronarit të të vërtetës është gabimi i tij më i madh.

2.

E vërteta nuk është statike, por proces i gjetjes së të vërtetës. Shkrimtari iluminist gjerman Gotthold Ephraim Lessing (1729-1781) e ka përkufizuar kështu procesin e gjetjes së të vërtetës: “Jo e vërteta që e posedon një njeri apo që mendon se e posedon, por përpjekja e sinqertë që ai bën për të gjetur të vërtetën e tregon vlerën e njeriut”. Cilësia e të vërtetës varet nga kushtet që opinioni publik i krijon për shpalosjen e të vërtetës. Kur kushtet e shpalosjes së të vërtetës i minojnë pronarët e të vërtetës, atëherë ka vetëm zemërim artificial. Shfryrje emocionale. Dhe bindje (absurde!?) se vetëm ai që bërtet më së shumti, ka të drejtë më së shumti. Lessingu shkruan se nëse Zoti do t’ia jepte atij të vërtetën e plotë në dorën e djathtë dhe në të majtën përpjekjen e pashterur për të vërtetën, përfshirë të gjitha mundësitë për të gabuar, ai do të zgjidhte dorën e majtë. Ky është dallimi mes kërkuesit të të vërtetës dhe pronarit të të vërtetës.

Copyright: Enver Robelli & Koha