“Epoka” e autokratëve dhe socialdemokracia e tradhtuar - Nga Vangjush Saro
Sado e largët të duket pranëvënia dhe vetë qasja në këtë term, mendoj që një nga arsyet kryesore për turbullimet e tanishme është largimi nga parimet e Socialdemokracisë. Ajo ka marrë një goditje të rëndë këto kohë. Këtë goditje ia ka dhënë vetë PS, që duhej të ishte simbol e pasqyrë e Socialdemokracisë. Edhe po të marrim në konsideratë se dallimet midis Të majtës dhe Të djathtës janë ngushtuar kudo - fundja “korniza” është po ai rend, Kapitalizmi - prapë duket sikur ka ndodhur një lloj transformimi gjer në marrëzi. Dhe kjo, mes të tjerave edhe ngaqë po jetojmë kohën e autokratëve, drejtues me ego ekstreme dhe që nuk veprojnë në skuadër.
Doemos, i pashmangshëm zhgënjimi për qytetarët, edhe ata shqiptarë, që erdhën në rendin e ri me besim te Socialdemokracia, qeverisja që përpiqet të ndërtojë një shtet sa më të drejtë, sa më të lirë, me favore sociale, me përkujdesje për shtresat e varfëra, me rol ekuilibrues në rajonet ku vepron dhe më gjerë. Kjo ëndërr vjen nga shtete me përvojë të gjatë në politikë dhe në modelin e quajtur Socialdemokraci, si Britania e Madhe, Gjermania, Franca, etj. Te ne, u përpoq ta sillte Musine Kokalari, fati i së cilës dihet tashmë. U përpoq edhe Pjetër Arbnori; fati i tij dihet, gjithashtu.
Në fillim të viteve ’90, pata nderin të punoja në gazetën “Alternativa Socialdemokrate”, madje përgjatë një viti edhe e drejtova atë medie, që në vështrimin tim, ishte e ekulibruar. Pavarësisht fatit të saj dhe se si u katandis më pas, e tillë ishte edhe vetë Partia Socialdemokrate, e drejtuar nga Skënder Gjinushi dhe ku bashkëdrejtuan edhe Haxhi Aliko, Paskal Milo, Gaqo Apostoli, Teodor Laço, etj. Madje në ato kohë, ishte e vetmja parti që u pranua në Internacionalen Socialiste dhe në forume të tjera politike të Qendrës dhe të Së majtës. Ishte pikërisht Partia Socialdemokrate që u bë “dorëzanë” për afrimin dhe pranimin e PS-së në ato organizma. (Në ato vite, partitë shqiptare bënin çmos të përfshiheshin në forumet e politikës perëndimore.)
Gjatë dekadave, ndodhën shumë ngjarje: u krijuan, u harruan, u rikrijuan, u shuan, u bënë për turp shumë parti e partiçka; madje kjo farsë vazhdon ende dhe është një temë më vete. Gjithsesi, ja tek jemi: PS - pothuaj e vetme tani në spektrin e majtë - zë kryet e vendit dhe bën ç’i do qejfi. Në krye të saj dhe të qeverive të saj në vite, gjendet një autokrat, z. Edi Rama. Sigurisht, ai nuk erdhi si një i tillë në fillimet e Demokracisë. Ai doli nga institucionet, ndërmarrjet dhe qytetet që në fund të viteve ‘80 zjenin gjithë kohës dhe mezi prisnin ndryshime: Kinostudio, Instituti i Lartë i Arteve, Universiteti i Tiranës, Miniera e Valiasit, Shkodra, Kavaja… Ai shkroi si rrallëkush në dekadat e shkuara, madje pikërisht për këtë frymë kritike u rrah për vdekje nga elementë që, s’u muar vesh, ishin të SHIK-ut apo thjesht ndjekës të verbër të drejtuesve politikë e pushtetarëve më të lartë të asaj kohe.
Pak e nga pak, PS dhe drejtuesi me dorë të fortë i saj e kryeministër tash sa vjet, e shndërruan këtë parti në një formacion politik të oligarkëve të vendit. Shikoni se si politikanët, deputetët, qeveritarët “e majtë” - Oops! Zot, na mba mendjen - po grabisin në të katër anët toka për vila e resorte, çka me aq zemërim e vuri në dukje këto ditë një prej emrave më të ndershëm të historisë sonë politike, ish-presidenti Alfred Moisiu. Dhe është e natyrshme që në këtë klimë e, duke përqeshur Socialdemokracinë, përfitimet klanore erdhën në krye të punëve e të “shqetësimeve”, korrupsioni dhe banditizmi gjetën terren dhe kështu, ia mbërriti kriza më e madhe që ka pasur ndonjëherë ajo parti tradhtarësh, e mbase edhe vendi.
Çfarë po ndodh? Një lloj tërmeti në pushtetin lokal. Kaos, më mirë. Ndërsa shfaqen gjithnjë e më shumë probleme me ekonominë, bujqësinë, blegtorinë, infrastrukturën, etj., me hir a me pahir, po tërhiqen gjithë drejtorët dhe nënkryetarët e bashkive dhe njësive administrative, nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim (të vendit pa pushtet lokal). Çfarë është kjo? Ku ka ndodhur ndonjëherë? Në cilën kohë? Pse duhet të sillet kështu kryetari i PS dhe kryeministri i vendit, fill pas “triumfit” në zgjedhjet parlamentare, që vetë po i vë në dyshim?
Këta po ikin; siç thame, me hir a me pahir. Dhe ketu, pyetjet vijne përvëluese, më keq se vapa e korrikut: Ikin se nuk kane punuar mirë? Pra, në të gjithe vendin, Pushteti Lokal nuk ka punuar mire? Duke pasur parasysh lidhjet e Pushtetit Lokal me ate Qendror, i bie që edhe ky i fundit s’ka punuar mirë. Dhe kjo e përmbys rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. (Në kuptimin që ato zgjedhje paskan qenë të shtirura, të manipuluara.) E megjithatë, në veshtrimin tim, shqetësimi më i madh është pikërisht dëbimi ose edhe ikja e këtyre njerëzve pa pikë dinjiteti. Kjo tregon se është ndërtuar një sistem ku njeriu nuk peshon, nëpunësi është kukull, frika bën ligjin dhe “njëshi” dikton.
Është tradhtuar Socialdemokracia ashtu në përgjithësi? Apo kreu i socialistëve ka hyrë në një lloj xhungle e s’po di të dalë? Po ta zgjerojmë pak argumentin e të hedhim vështrimin përqark, mbase është “epoka” e autokratëve. Kështu në Hungari. Kështu në Serbi. në Turqi. Të mos flasim për vende ku në fuqi janë diktatorët; (ka një dallim të madh midis dy termave dhe dy modeleve qeverisëse). Në një kuptim, nga autokracia, çuditërisht, nuk shpëtuan as SHBA-të, vendi më i madh dhe më i fuqishëm i botës, që gjer më tash udhëhiqte Demokracinë, (anipse shpesh duke mbrojtur thjesht interesat e veta e të partnerëve). Janë një sërë veprime të Presidentit aktual, z. Trump, sidomos përplasjet me gjykatat, por edhe mungesa e veprimit në grup e me kabinet, që tregon - u kthyem prapë te termi i frikshëm - se botën e kanë marrë në dorë “njëshat”; dhe vate kjo pune…
Po e përsëris, asnjë fshesë, kohërash, nuk ka bërë kaq shumë spastrime! Dhe s’di nga të mbash, për këtë dhe tema të tjera. Ka një rëndim psikologjik të të gjithë qytetarëve, një pasiguri; “aksionet” dhe mbrapshtitë pasojnë njera-tjetrën. Vendi është në një lloj jermi. (Detyra jonë është të gjejmë ato pak parime që do të qetësojne ankthin e pafund të shpirtrave të lirë. Ne duhet të ndreqim atë që është copëtuar, ta bëjmë drejtësinë përsëri të imagjinueshme.” A Kamy)
© Vangjush Saro - Vancouver












