Kolumnist

Bashkimi kombëtar nuk u duhet diktatorëve - Nga Ilir Levonja

''Jetojmë në shekullin 21 dhe nuk mund të mendojmë në shekullin 21 me formula të shekullit 20 dhe lëre pastaj të shekullit 19 apo më përpara. Për mua, nëse flasim për bashkim kombëtar, flasim për Bashkim Evropian. Nëse flasim për bashkim kombëtar jashtë Bashkimit Evropian, jemi duke folur me vete dhe për vete por as për vete jo sepse është tërësisht një fantazi që s’ka lidhje me realitetin”. Janë fjalët e Edi Ramës mbrëmë në televizionin Klan Kosova.

Në fakt bashkimi kombëtar sa vjen e bëhet më i largët dhe kjo falë vetë shqiptarëve, jo Europës apo botës në përgjithësi. Ajo tabuja e shekujve se asnjëherë nuk ka ardhë e keqja nga të huajt, por nga esnafi ynë politik sa vjen e çimentohet. Shqiptarët sot janë më shumë populistë karshi njëshave sesa çështjes kombëtare, janë më shumë populistë karshi besimeve sesa çështjes kombëtare, janë më shumë myslimanë, ortodoksë a katolikë, sesa janë shqiptarë, bile edhe fjalorin e kanë me tone besimesh, jemi myslimanë thonë më parë se jemi shqiptarë por të besimit mysliman, apo jemi ortodoksë, në vend që të të thonë jemi shqiptarë të besimit ortodoks etj. 

Nuk është e rastësishme që adhurojnë të fortët apo limfën e besimeve se sa limfën kombëtare të frymës a gjakut shqiptar. Si nga Tirana ashtu edhe nga Prishtina e konsiderojnë atdheun brenda terminologjisë së koridoreve diplomatike, më brenda Europës, brenda Bashkimit Europian, jo për të qënë koherent me ekzistencën e një unioni, por me pushtetin e tyre. Dhe gjëja më e mirë për të kapur këtë stad qeverisje është Uni i hekurt, sundimi..., nuk janë ata që i udhëheqin prirjet e popullit, por populli është i detyruar të ndjekë prirjen e tyre, prandaj shqiptarët sot nuk kanë një atdhe të përbashkët, atdheun natyral, por janë të goditur nga frazeologjitë sllave apo helene mbi gjoja Shqipërinë e madhe.

Sot dy kryeministrat e shqiptarëve nuk flasin, nuk kanë agjenda kombëtare, nuk kanë kurajon të përmendin çështjen kombëtare, nuk kanë as dëshirën më të vogël, pasi nuk kanë lidhje me të dhe arsyeja është e thjeshtë, i përkasin sojit të sunduesit, jo liderit që dirigjon prirjen. Madje shumë prej tyre hiqen të ditur, të mbushur me kulturë, më shik, apo të imponohem me vështrim nga lart poshtë, falë edhe gjatësisë së budallait, megjithëse të gjitha këto nuk vlejnë fare sa kohë nuk ke vullnet human.

Kujtojnë se bashkimi kombëtar nuk bëhet me ligje kuvendi, me fermane Turqie, apo shkresa të evropit etj., bashkimi kombëtar fillon thjesht ore, me rrugë të hekurta, me rrugë asfalti, me magazina të ndërsjella, jo me pijanecë studiosh që flasin për shtat të Edi Ramës, Albinit, Berishës, Haradinajt apo ndonjë tjetri, pasi kombi është 7 milion vjet dritë më i madh se këta. Këtë bëni edhe ju dhe lërini diskurset me përralla. Të paktën dashuria po lëvron, të dua thuhet nga të dyja anët, të hëngsha loçkën, si këtej edhe andej.

© Ilir Levonja