Marrëveshje në dëm të shqiptarëve
- Nga: Xhevdet Nasufi
Lojë politike unikale mes politikbërësve shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë. Ping-pong politik i pahijshëm, ofendues, por edhe i dëmshëm. Kosova sjell vendim për tarifa doganore shtesë për prodhimet bujqësore që të mbrojë prodhuesit e vet. Pa e zbatuar vetëm edhe njëherë, e Kosova e tërheq vendimin e vetësjellur. Rrethanat që ndikuan në sjelljen e vendimit mbeten të paqarta ashtu sikur edhe tërheqja e të njejtit. E tërë kjo i ngjau një filmi të keqsajuar, por të lexueshëm edhe për një fillorist që konsiston në dy arsye të mundshme:
Së pari, marëveshje politike e Qeverisë kosovare me faktorin qeveritar shqiptar në Maqedoni për nevoja propaganduese të këtij të dytit; Së dyti, vendim i tarifave doganore shtesë nuk është menduar mire në të gjithë gamen e efekteve dhe kundërefekteve të mundshme.
Edhe Trump-i solli vendime të njejta me përmasa gjigante ndërshtetërore, ama bëri edhe analizën se ekonomia amerikane prej kohësh pësonte nga tregëtimi jo edhe aq i balancuar, sidomos me Kinën gjigande. Krahas kësaj, Trump-i bëri edhe ndonjë kompromis si strategji e mirëmenduar, psh. me BE, por nuk lozi pandershëm dhe nuk i vuri në vështirësi të mëtejshme interesat e Amerikës dhe amerikanëve.
Shqiptarët këtu në Kosovë dhe Maqedoni, bile as kompromis nuk bënë për interesat vetanake, duke e tërhequr vendimin për tarifim doganore shtesë të prodhimeve bujqësore të Maqedonisë. E goditën pamëshirshëm bujkun e Kosovës për interes të bujkut të Maqedonisë, edhe atë kryesisht të atyre maqedonas. Kjo, sepse bujq me përmasa të eksportuesit të prodhimeve bujqësore në Maqedoni pothujase nuk ka. Politikë e çke me të. Globalizimin ekstrem të politikës dhe ekonomisë nacionale në rafshin ndërkombëtar e bëjnë vetëm shqiptarët. Për keqardhje vallë, si të tjerët nuk marrin shembull këtë kozmopolitizëm të skajshëm?!
Kronologjia e ngjarjes ishte shumë e thjeshtë dhe e shkurtër. U desh një ministër shqiptar nga Maqedonia (që nuk ka rutinën e duhur për marëveshje të këtilla ndërshtetërore dhe nuk është i dikasterit përgjegjës) papritur komunikon lajmin se pas bisedimeve që zhvilloi në Prishtinë, detyroi Qeverinë e Kosovës të tërheqë vendimin për tarifa doganore shtesë të prodhimeve bujqësore të importuara nga Maqedonia. U tha u bë.
Dhe epilogu i qartë: prodhuesi bujqësor i Kosovës u dëmtua. Kjo nuk i shqetësoi politikbërësit shqiptarë, siç u shqetësua Trump për amerikanët, a po Vuçiq për serbët, kur Maqedonia ngjashëm veproi me Serbinë.
Por, edhe më keq se e tërë kjo, vallë, politikbërësit shqiptarë të Maqedonisë dhe Kosovës nuk janë të vetëdijshëm për bilancin ekstrem negative të këmbimit tregëtar të Kosovës me Maqedoninë?
Kosova sipas informacioneve që kam, nuk është anëtare e Organizatës Botërore për Tregëtinë dhe nuk egziston detyrim ndërkombëtar për respektim të rregullave jo të ratifikuara. Gjithsesi, edhe në rast prezumimi për detyrim ndërkombëtar, ekonomia kombëtare ka prioritet. Pra, është rregull që çdo shtet në sovranitetin e vet ka të pacenueshme të drejtën e mbrotjes së qytetarit të vet, të prodhimit të vet dhe ekonomisë kombëtare.












