Jo më tortura!-thotë Emmanuel Macron
- Nga: Eric Margolis
"La Main Rouge" tha zëri i ashpër në telefonin tonë në shtëpi në Gjenevë të Zvicrës. "Ndalini aktivitetet tuaja në emër të FLN ose ne do t'ju vrasim." Telefonuesi misterioz e ndërpreu telefonatën. U tmerrova. “La Main Rouge” po vriste mbështetësit e Algjerisë së lirë kudo ku ndodheshin në gjithë Evropën. Kjo ndodhi në vitin 1959 kur isha duke studiuar në Shkollën e Lartë Ndërkombëtare të Gjenevës. Lufta për të çliruar Algjerinë nga kolonizimi 130 vjeçar francez ishte në periudhën më të përgjakshme dhe më intensive të saj. Si një student idealist isha shumë i zemëruar me brutalitetin e kësaj lufte në të cilën 1.5 milion algjerianë u vranë nga francezët dhe nga shokët e tyre vendas. Unë organizova demonstrata për çlirimin e Algjerisë, shkrova artikuj dhe shpërndava mesazhe të Organizatës së fshehtë (Front de Liberation National ose FLN) dega e Parisit. Kërcënimi me vdekje ishte i pari nga shumë që do të merrja gjatë jetës sime, së bashku me kërcënime të tjera të rënda si dhe oferta ryshfetesh për të ndryshuar qëndrimet e mia si gazetar. Por Lufta e Përgjakshme e Algjerisë, e cila vazhdoi nga viti 1954 deri më 1962, ende ka një rezonancë të veçantë për mua edhe pse unë kam marre pjese në 14 luftra që nga ajo kohë. Tmerret e masakrave dhe torturave të Algjerisë kanë qëndruar me mua gjatë gjithë këtyre viteve.
La Main Rouge (Dora e Kuqe), siç mësuam më vonë, ishte një organizatë e rreme krijuar nga Shërbimi i fshehtë Francez (SDECE) për të vrarë ose frikësuar mbështetësit e kauzës algjeriane, sidomos intelektualët pro-algjerianë të majtë dhe furnizuesit e armëve. Për këtë arsye isha i ngazëllyer që do të takoja presidentin e ri të Francës, Emmanuel Macron, i cili pranoi zyrtarisht se Franca në të vërtetë kishte kryer tortura sistematike në Algjeri, që ai vetë i quajti "një krim kundër njerëzimit". Qeveritë e mëparshme franceze kishin mohuar krimet në Algjeri dhe censuruar gjithë raportet dhe librat që shkruanin për to. Tortura, “zhdukja” dhe ekzekutimet gjyqësore nuk do të sanksionoheshin më në Francë, madje edhe në rastet më ekstreme. Macron e quajti represionin e Francës në Algjeri “një krim kundër njerëzimit”. Të dhënat e luftës janë të kobshme. Dhjetëra mijëra të dyshuar algjerianë u arrestuan gjatë natës, u futën në burgje dhe u torturuan - shumë prej tyre deri në vdekje - duke përdorur gjeneratorë elektrikë të lidhur me klip çeliku me organet e tyre gjenitale ose buzët. Rrahjet intensive dhe përdorimi i informatorëve të maskuar ishin të zakonshme. Shumë të dyshuar si pjestarë të FLN-së u dërguan në gijotinë. Filmi i shkëlqyer “Beteja e Algjerit” tregon për përpjekjet mizore të trupave elitë franceze dhe forcave të sigurisë për të shtypur rrjetin FLN. “Ne tejkaluam Nazistët SS dhe Gestapon” u mburr një gjeneral sadist francez. Si rezultat i Luftës Algjeriane, tortura u përhap në shërbimet e sigurisë metropolitane të Francës madje edhe në polici. Kështu ndodh gjithmonë kur përdoret tortura. Ajo përhapet si një virus.
Më 1995, Presidenti i atëhershëm Jacques Chirac, pranoi se policia franceze, jo gjermanët, kishte grumbulluar 75,000 hebrenj francezë dhe i kishte dërguar ata në kampet e përqendrimit gjerman. E djathta Franceze ishte tejet e zemëruar. Sot e djathta Franceze po denoncon Presidentin Macron që më në fund po thotë të vërtetën dhe po hap arkivat sekrete të Francës, gjë e cila ngre një diskutim për torturat e ushturara nga forcat okupuese amerikane në Afganistan, Irak, Somali, dhe krime të ngjashme nga satrapët e saj Egjipti, Maroku, Arabia Saudite, Jordania dhe Izraeli. Nën udheheqjen e Presidentit Donald Trump, SHBA-ja po shkon pikërisht në drejtim të kundërt me Francën. Trump dhe grupi i tij kanë vlerësuar përdorimin dhe efikasitetin e torturës dhe kanë bërë thirrje për përdorimin më të gjerë dhe më intensiv të saj në luftërat moderne koloniale të Amerikës. Shefi i ri i CIA-s udhëhoqi një pjesë të programit të torturës në Azinë Juglindore.
Franca tani është duke u pastruar nga krimet kundër njerëzimit të kryera gjatë Luftës Algjeriane. Kombet, ashtu si njerëzit duhet që herë pas here të pastrojnë shpirtin nga veprat e këqija dhe krimet. Por kjo gjë nuk ndodh me Shtetet e Bashkuara ku Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi janë bërë nxitës të torturave. Duket se do të jetë e vështirë për Uashingtonin që të mbajë vendin si kampion botëror për të drejtat e njeriut kur torturuesit e tij po punojnë shumë fort për të imponuar ndëshkime të papërshkrueshme ndaj të dyshuarve. Le të kujtojmë se administrata Bush-Cheney rriti masivisht përdorimin e torturës për të provuar një lidhje të rreme midis Irakut të Sadamit dhe 9/11. Amerika mberi e turpëruar dhe kurrë nuk mundi të prodhonte “provat”. Amerika dhe Franca janë demokraci motra. Presidenti Macron i ka treguar Uashingtonit se si ta zgjidhë problemin e krimit të torturës. Duhet të dëgjojmë!
Epilog: Algjeria fitoi pavarësinë në vitin 1962 falë urtësisë së presidentit Charles De Gaulle. Por siç ka thënë Danton “revolucioni gllabëron bijtë e vet”. Udhëheqësit rivalë të FLN filluan të vrasin njëri-tjetrin. Lufta dikur fisnike për pavarësi u shndërrua në një gjakderdhje. Algjeria ra nën sundimin ushtarak dhe vuajti tmerre më të rënda sesa ato të shkaktuara nga Franca.
Përktheu nga anglishtja: Ariola Mani










