Kolumnist

Kaosi dhe arkaizmi audio-televiziv në Shqipëri

Nga: Artan Fuga

Si investimi teknologjik nuk po sjell rezultate në peizazhin audio-televiziv në Shqipëri! Po si është e mundur?

Gjithë ato investime, borxhe të marra, shpenzime të bëra për teknologjinë digjitale për transmetimet televizive dhe asnjë rezultat pozitiv për përmbajtjen televizive?

Mirë investimet private se i dinë vetë pronarët, po investimet publike që na kanë kushtuar qimet e kokës si nuk i mat njeri se çfarë përmirësimesh kanë sjellë në informimin publik!

Si është e mundur që e çojmë në zero gjithçka!

Asnjë ndryshim në programacione!

Lajmet e stërgjata dhe të përsëritura gjithë ditën e ditës, gjoja flash news! 
Propaganda ideologjiko-politike dhe politizimi fryjnë nga të gjitha anët! 
Gjoja ekspertët në studio tallen e përqeshen nga politikanët sepse veç ekspertizë nuk kanë. 
Emisione arkaike prej dekadash të njejtët! 
Kuotat për filmat, këngët, veprat e artit shqiptare të hedhura në ferra! 
Kanalet e reja të hapura nuk kanë pikë gazetarie televizive, por janë bërë si vatra të dikurshme kulture mbushur me filma pa lidhje dhe pa pikën e interesit. Duket sikur është i njejti film që vazhdon pa mbarim. Ka hypertekst por paska dhe hyperfilm. 
Produktet televizive për aplikacione telefonike ose Youtube as mos i pretendo! 
Prodhimi i filmave dhe serialeve televizive dhe dramave shqiptare në televizion i ngjan një liqeni të tharë nga një llavë vullkanike. Shkretëtirë! 
Intervista gjithë ditën ku nuk të mbetet gjë në mend sepse të gjithë lëvdojnë veten e tyre kur kanë luftuar dikur në Dardanele. 
Emisione ose programe të blera nga jashtë, si edhe filma ose dokumentarë, harrojeni! Kush harxhon lekë për to, pse budallenj jemi! 
Veç ndonjë filmi turk me otomanë që therrin njeri-tjetrin dhe ndonjë filmi indian ku veç për të lëvizur qafën aktorja qendrore i duhen pesë minuta, filma të tjerë harrojini! 
Raportimi nga terreni “live”, dhe emisionet ‘live’ nga terreni, harrojini! 
Emisione politike me logo të ndryshme po ku ndryshon veç moderatrori sepse temat, të ftuarit dhe sherret janë po ato.

Na rroftë kalimi në teknologjinë digjitale, na rroftë!

Çfarë kaosi dhe arkaizmi!

Lajmet nga bota me pikatore dhe të manipuluara sipas qejfit!

Kush i pengon operatorët privatë televizivë se operatori publik ka vdekur me kohë të dalin nga kjo gjendje!

Kush nuk i ndihmon dhe i përkrah që të dalin nga kjo gjendje!

Do të kalojnë edhe ca vite edhe nëse nuk ka një politikë dhe një kuadër të ri ligjor për median, tv tona do t'i ngjajnë gjigandëve:

Superfosfatit të Laçit! 
Kombinatit metalurgjik. 
Fabrikës të kallashnikovëve në Poliçan!

Dhe Muzeut Kombëtar!

Nuk kanë faj operatorët privatë, por duhen politika të forta, të vërteta, të qëndrueshme, jo servile, jo fluturake, publike në këtë fushë!

Nuk bëhet me "e mir", "mir"!

Ato janë si një shekull përpara, një mijëvjeçar më parë, sepse vitet '90-të aq larg janë!

 

Tagged under Artan Fuga