Çfarë kemi blerë gjatë karantinës? - Nga Jeta Dedja
- Nga: Jeta Dedja
Gjatë periudhës së karantinës a keni vënë re se çfarë keni blerë më tepër? Letra tualeti mund të thotë një pjesë e mirë e lexuesve. Dhe vërtet, në javën e parë të shpalljes së epidemisë, qytetarët kanadeze nxituan të furnizoheshin me letra higjenike. Një zot e di, pse ky produkt u cilësua si më esenciali për t’u pasur në rezervë, në një vend ku uji nuk ka munguar. Keni ndonjë koment ju për këtë?
Po përveç letrave, në Kanada me një sy të lirë vëzhgimi, por edhe vetë-raportimi të qytetarëve në rrjete sociale përmes fotove të shkrepura nga ambientet e marketeve ose nga rehati i kolltukut të shtëpisë, janë shitur e blerë produkte që lidhen me shëndetin, ushqyerjen dhe pajisje gjimnastike/argëtuese. Ndërkohë është shënuar rritje shitjesh online të produkteve të alkoolit dhe tregues rritjesh thuhet se ka edhe nga sektori i kanabisit.
Mesa duket njerëzit kanë investuar në këto drejtime; mbrojtjen e shëndetit, argëtimin dhe ushqyerjen për të plotësuar nevojat jetike. (Alkoolin dhe kanabisin po ua lë juve në dorë ku do e klasifikoni).
Them se jeni dëshmitarë vetë të mungesës së dorezave e maskave mbrojtëse. Këto produkte që dikur u kalonim pa interes pranë, sot janë mallra luksi që mund t’i sigurosh me porosi online kundrejt një çmimi më të lartë ose ju që jetoni në Toronto mund t’i porosisni tek Tatjana-duararta, pronarja shqiptare e dyqanit “European Fashion Design”, Boutique and Tailoring, në adresën 221 Davenport Road. Ndërsa higjenizuesin e duarve e dimë që ka, por qarkullon me kursim dhe iu garantohet me prioritet atyre që e kanë të domosdoshëm në shërbim.
Nëse shkon në Shoppers, ilaçet që dikur mbushnin raftet, e zemë tylenoli, herë e gjen e herë jo. Frika nga sëmundjet ka drejtuar njerëzit të blejnë barna edhe pa qenë sëmurë.
Po ushqimet e paketuara, ato të konservave që bliheshin vetëm nga dembelët ose jo qeflinjtë e kuzhinës? Dora e parë ka kohë që është përpirë. Tani po shiten edhe ato që ishin stok nëpër magazina.
Pas sigurimit të bukës së përditshme, vjen qejfi. Me mbylljen e palestrave dhe pishinave, kanadezët u detyruan të blejnë mjete fitnesi në kushte shtëpiake.
Kërkoi im bir gira (pesha) disa ditë më parë. Epo mirë. Shkuam në dyqan, as që bëhej fjalë të kishte. Na tha punonjësi, porositeni online se këtu u shitën të gjitha. Ju vijnë në shtëpi për 3-10 ditë maksimumi.
Përpos këtyre që lidhen me mirëmbajtjen e trupit, produkte të kërkuara këto kohë janë edhe lojërat argëtuese familjare si monopoli, shahu, domino, por edhe këto nuk i gjen si më parë. Nëse ke fat, nuk lodhesh duke kërkuar. Duket se njerëzit u janë kthyer edhe këtyre traditave të kalimit të kohës. Megjithatë shumica ka internet dhe luan online, aty ka ç’të duash.
Kështu pra, kur bën një bilanc të thjeshtë në aspektin e shitje-blerjeve, vëren se më shumë lezetin po ia ndjejnë ata që shesin e prodhojnë produktet e grupeve të sipër përmendura, ndërsa konsumatori "kënaqet" duke siguruar produktet e nevojshme për familjen në një kohë ku frika dhe pasiguria po udhëheqin sjelljen. Ndonjëherë edhe mërzitet kur nuk gjen atë që i duhet.
E kur shkon me makinën plot mbushur me ushqime e gjithfarë produktesh që ke planifikuar për të gatuar recetat nga Kanadaja, publikuar në FlasShqip, plus atyre që t’i kap syri, t’i do nepsi apo t’i kanë listuar fëmijët, ndihesh i qetë për disa ditë. Ndihesh "i fortë", përballë covid-it që të mbylli brenda.
Dhe ca blerje, që dikur thjesht do t’i fusje pa mendje në karrocën e pazarit, një moment të duken kaq me vlerë dhe thua sa mirë bëra. Blerjet e lojrave, çajrave, akulloreve me shumicë, për të qëndruar më shumë në tryezë apo para televizorit, duke zgjatur natën, pa u merakosur as për peshën e as për orarin e gjumit apo zgjimit. Ose një pako letra për të luajtur 5-katshin në një mbrëmje ku televizorin e mban të fikur për të mos dëgjuar shifra vdekjesh e alarme globale, e duke zgjedhur të bisedosh më mirë për heronjtë e filmave hollivudianë që shpëtojnë gjithmonë botën nga e keqja, me shpresën naive fëminore se një i tillë do dalë së shpejti ta shpëtojë sërish atë.
©FlasShqip.ca












