Qeveria e “mbivendosur” Hoti - Nga Ndue Dedaj
Avdullah Hoti do të kishte qenë mirë të mos e kishte pranuar postin e Kryeministrit të Kosovës, pasi rendin për të qeverisur e kishte dhe e ka Albin Kurti; kësisoj qeveria "Hoti" e votuar më 3 Qershor 2020 ngjan si e "mbivendosur" e qeverisë Kurti.
Shqiptarët e Kosovës, Tetorin e shkuar, nuk kanë votuar asesi që qeveria e mandatuar prej tyre të rrëzohej në kulisat e politikës së vjetër, qoftë dhe me bekimin e Ndërkombëtareve, në kohën më të paimagjinueshme të pandemisë Covid 19, këtë Mars, kur ajo kishte bërë vetëm 51 ditë?!
Asnjë emergjencë politike nuk e përligjte këtë hap, jo më heqja urgjente e taksës doganore me Serbinë që ishte duke u shqyrtuar pozitivisht nga qeveria e re. Kjo është çështja. Ani se qeverinë "Hoti" e kanë uruar SHBA, Bashkimi Europian, si dhe Kryeministri i Shqipërisë Rama, kryetari i opozitës Basha, etj.
Por nuk e ka votuar atë Vjosa Osmani, njëra nga dy fituesit “ekskluzivë” (bashkë me Kurtin) të zgjedhjeve të fundit në Kosovë, njëherësh kryetare e Kuvendit, duke thënë se “kjo qeveri nuk përfaqëson vullnetin qytetar”, çka për mendimin tonë do të thotë shumë.
Partia fituese VV zëvendësohet nga tre subjekte të tjera zgjedhore (minore), të cilat duan dhe tre zëvendëskryeministra, krahas atij të LDK-së, që është dhe lokomotiva e kësaj qeverie postpandemie në Kosovë. Nuk mund të shpërfillet fakti që qeveria "Hoti" u votua nga deputetet, ndërkohë që ata që e kanë votuar Kuvendin, zgjedhësit, të vetmit fuqiplotë në demokraci, protestonin jashtë dyerve të tij kundër miratimit të kësaj qeverie.
Ky është veçse një vëzhgim, se po të ishtë analizë më e gjërë, atëherë pyetja do të ishte: a ka më të vërtetë Kosova Gjykatë (të pavarur) Kushtetuese? Në qoftë se po, cila është “kushtetutshmëria” e vendimit të saj për të rrëzuar një qeveri të ligjshme, duke i hapur rrugën “ligjore” krijimit të një qeverie që nuk është në rendin e saj për të qeverisur!?
Thënë ndryshe, piramida qeverisëse në Kosovë tashmë është kokëposhtë.
Për të qeverisur nuk mjafton çdo lloj "ekuacioni" dhe kalkulimi numrash që mund të sajohet nga disa parti, që nuk bëjnë dot jashtë zyrave të qeverisë, por një votë më tepër, që e bën të parë subjektin që e ka fituar atë. Si mund t'i thuhet një partie fituese ti nuk do të jesh në pushtet, se kështu e kami vendosur ne.
Ky ngjan me një "komplot" ndaj Kurtit dhe partisë së tij që nuk e duan udhëheqësit tradicionalë, që në shtypin e atjeshëm cilësohen si "sundues", ku me gjasë është fjala për Thaçin, Mustafën, Haradinajn etj.
Nëse bie partia fituese, bien zgjedhjet dhe natyrshëm shkohet në zgjedhje të reja, çka dhe ka kërkuar Vetëvendosja.
©Ndue Dedaj












