Kolumnist

Çfarë fjalimi duhet të mbajë sot Albin Kurti - Nga Enver Robelli

Enver Robelli

Ndonëse një tubim masiv në kohë pandemie nuk është pa rreziqe dhe nuk do të duhej mbajtur fare, Albin Kurti ka vendosur të nxjerrë njerëz në rrugë, sot, më 12 Qershor 2020. Meqë po e bën këtë, atëherë do të jetë interesante të dëgjohet fjalimi i tij.

A do të jetë fjalimi i tij i ndërtuar me fraza populiste e demagogjike si shpeshherë deri më tani apo me realizëm e pragmatizëm?

A do të jehojë kushtrimi i një Napoleoni “të ri” të Gazimestanit apo një përqendrim në hallet e vërteta të qytetareve dhe qytetarëve?

A do të flasë kundër simboleve shtetërore të Kosovës apo do të demonstrojë përgjegjësi shtetformuese?

A do të pikturojë nën këmbët e kalit të Skënderbeut skica të Shtëpisë së Kuqe, të Verdhë, të Kaltër, të Bardhë ku e presin me thika, heshta e shtiza apo do ta kuptojë se maturia dhe vlerësimi i drejtë i fuqisë vetjake dhe vendore e kualifikon për të qeverisur ndonjëherë?

A do të bindë ndokënd me fjalimin e tij se nga pësimet (edhe të vetëshkaktuara) ka mësuar diçka apo do të vazhdojë me avazin e vjetër të shtyrjes së shkëmbinjve?

A do të përpiqet të rishkruajë historinë e pasvitit 1989 apo do të mendojë për të ardhmen?

A e ka kuptuar se pothuaj asnjë shqiptar i Kosovës nuk e ka zgjedhur për të mbajtur fjalime të zjarrta nëpër studiot televizive të Tiranës, por për ta bërë Kosovën shtet funksional?

A e ka kuptuar se lënia anash e shtetit të Kosovës në emër të betejës për “bashkim kombëtar” e bën të paarritshëm çdonjërin synim?

A e ka kuptuar se po aq e rëndësishme sa krenaria kombëtare shqiptare është krenaria për shtetin e bërë të Kosovës dhe përjetësinë e tij?

A e ka kuptuar ende se nuk qeveriset vetëm me militantë dhe me zhurmues të marrë me qira, por – mbi të gjitha – me profesionistë gjakftohtë?

Fjalimi i sotëm mund të jetë një shans. Ose një dështim.

Është krejtësisht në duart e Albin Kurtit.

©Enver Robelli