Kolumnist

Zoti paska qenë i vetmi që e ka dash Kosovën - Nga Arben Manaj

Sidoqë ta kthesh e rrotullosh episodin e dramës që po ngërthen Kosovën këto ditët e fundit, bindshëm duket se i vetmi që e ka dash çiltersisht Kosovën, qënkërka Zoti. Të tjerët bëjnë lojra në kurriz të saj, pasi e kanë gjetur si kalë të ngordhur dhe e godasin nga tu hajë dora.

Kosova është këtu ku është momentalisht për shkak të fajit të vet, thënë ndryshe për shkak të dobësisë së saj dhe transgresioneve te veta poliike dhe korruptive te atyre qe e drejtojne.

Është këtu pasi ka drejtues të përthyeshëm politikisht dhe të tredhur nga një dorë që ua di gjithë pisllëqet që kanë bërë pas luftës e deri më sot.

Dhe andaj ka promovuar ajo dorë ose ato duar ata njerëz që i kanë më të lehtë për ti plastelinuar në përputhje me interesat e tyre të ditës ose ato afatgjate në një loje të madhe gjeopolitike.

Prandaj dhe nuk donin njerëz të pastër, siç i votëbesoi populli i Kosovës në zgjedhjet e fundit dhe i torpeduan me makinacione bastunxhinjsh.

Shkurt i ka zënë haka e Albin Kurtit.

Nëse do kishte qënë ky që do drejtonte bisedimet me Serbinë, nuk do kishin ndodhur këto që ndodhen 48 orët e fundit, pasi nuk do kishte lidhje Prokuroria amerikane e Hagës me të dhe Kosova do ishte në pozita më të favorshme dhe dinjitoze negocimi.

Dhe ketu dal tek amerikanët alla-John Bolton e Grenell të Trump-it (jo ata amerikanë që i dhanë pavarësinë dhe çliruan Kosovën).

Kjo administratë e cila për mendimin tim të shprehur edhe më herët mbetet administrata më pak pro-shqiptare dhe më pro-serbja ose me e shantazhuara nga rusët (sic thotë John Bolton me më shumë informacione inteligjente dhe nga brenda, DHOMES KU NDODHIN GJERAT, se kushdo shqiptar tjetër), në librin e tij të fundit dhe jo sipas meje, që mbahet mënd.

Madje si nje anomali e gjithëfarllojshme në politiken tradicionale amerikane dhe boterore, permes arrogances se saj irrituese, dhe mos-haberllëkut të tejskajshëm në marrëdhëniet ndërkombetare, kjo administratë amerikane po i bën një dëm të parikuperueshëm ardhmërisë së Kosovës.

Për interesa elektorale, pasi ka dështuar gjithandej në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe e kanë zbehur rolin ndikues te Amerikës në botë, dhe duke qene se janë inferiorë në diplomaci-bërje në këto vite të fundit, po e përdorin Kosoven si mundësi reklamimi të suksesit diplomatik në prag të fushatës presidenciale të 3 Nëntorit, pavarësisht nga çfare fiton ose humbet më shumë Kosova.

Kjo administratë dukshëm po humbet çdo betejë me ujqërit e vjeter të bipolaritetit dhe tri-polaritetit, si me Rusinë dhe Kinën, në çdo sfidë ndërkombëtare.

Merrni rastin e Koresë së Veriut e cila është një mashë që drejtohet nga diplomacia kineze, e ku Trump-i dështoi rëndshëm edhe pse një liliput dhe dordolec si Kim Jong Un e poshtëroi në fakt me udhezimet diplomtike te kinezëve në veshin e tij.

E njëjta gjë po ndodh edhe me Kosovën, ku rusët po instruktojnë Vuçiçin, njësoj si kinezet Kim Jong Un-in, dhe kjo përplasje nuk është gjë tjetër, veçse një përballje amerikano-ruse, ku kjo e fundit ka solidaritetin kinez me vete.

Dëmi më i madh që rezulton nga kjo qasje amerikane e administratës së Trump-it është rifaktorizimi rus në këtë histori, ku përfshirja e pritshme e të cilit përmes rihapjes së çështjes së kufijve edhe pse e mbyllur deri në stemën e flamurit të Kosovës, ku është skicuar, si në rrallë flamuj të tjerë të botës, harta e Kosovës.

Gjithshka që ka ndodhur këto 24 orë padyshim është përplasje edhe mes vizionit të Evropës dhe atij amerikan, i cili ka tentuar përmes çakejve dipllomatik si Grenëll, ta anashkalojnë një qëndër të rëndësishme vendimarrje politiko-diplomatikë, siç është BE-ja.

Në fund të fundit, si Kosova dhe Srbia si ëndër kanë aderimin në BE dhe jo shndërrimin e tyre në ndonjë shtet të 53 a 54 të Amerikës.

Dhe sesi do mund ta arrish këtë objektiv duke dalë haptazi kundër Evropës, e cila mbetet me të drejtë dhe në esencë, siç e njohim dhe etiketojmë ne shqiptarët me atë frazën e famshme të plakës..., pandryshueshmerisht është një naivitet i frikshëm alla-ballkanik.

Aq sa mbetet edhe impotenca evropiane në një qasje realiste ndaj Ballkanit dhe Srbisë dhe Kosovës respektivisht, një qasje e anuar ndaj ish-persekutorit në dëm të viktimës në një analize të fundit ç’ka padyshim mbetet turp i saj si shumë turpe historike në raport me Gadishullin Ballkanik.

Analiza e disa pseudo-nostradamëve shqipfolës të furnizuar me të dhëna inteligjente herë pas here, në vartësi të nevojës diplomatike dhe politike të momentit, se kjo që ndodhi me Thaçin eshte projekt evropian për të dëmtuar administratën e Trump-it, është shërbesa e rradhës, në një qasje arrogante dhe aspak realiste.

Prokuroria Speciale, padyshim është e financuar nga evropianët dhe ka në krye të gjykatës një bullgare si Ekaterina Trendafillova, por mbështetja dhe në qënësinë e saj mbetet amerikane.

Edhe Prokuror Special, mos harroni, ka amerikanin Jack Smith qe nga 11 Shtatori i 2018 edhe pse i emëruar në atë post në 7 Maj të 2018, në vend të David Schwendiman, edhe ky amerikan.

E qe Grenell dhe amerikanët e administratës së tij të mos e dinin se çfarë bën ky amerikani i tyre, aq më tepër që Grenell ka nën hyqëm gjithë inteligjencën amerikane, është pak të thuash është miopi dhe naivitet.

Gjithësesi jemi këtu ku jemi, dhe Kosova ndodhet në udhëkryq sa ç’ishte në kohën e Rambujesë, por pa pasur miq aq të fuqishëm në krah të vet edhe pse ata vijnë nga i njëjti vend si Medllin Ollbrajt.

Kosova do duhet ta shfrytëzojë këtë kohë bonus të dhënë për t’u përgatitur për më të keqen, dhe të punojë dhe shpresojë për më të mirën, se gjërat do ndryshojnë në Amerikë, pas zgjedhjeve të Nëntorit dhe politika amerikane do jetë në duar të tjera, edhe pse zëvendesi potencial i Trump-it është Joe Biden, një njeri që Hashim Thaçin, dikur e ka krahasuar me “Xhorxh Uashingtonin e Kosovës”, ndoshta në një moment egzaltimi emocional prej miku të vërtetë.

Presidenti i Kosoves nuk ka si të drejtojë procesin e të ardhmes së Kosovës, nëse përfundon në Hagë dhe politika kosovare do duhet të rikonfirmojë mandatin negociues të vjedhur gjithësesi nga populli i Kosovës përmes zgjedhjeve të reja të parakohshme sa më shpejt që të jetë e mundur.

Po aq imperativ është një bashkëpunim më i madh mes vetë politikës dhe diplomacisë shqiptare në të dyja anët e kufirit për një qasje dhe plan të dakordësuar negocimi, për interesa jo personale, por ato të kombit.

Euro-atlantizmi është aleati më i madh i interesave shqiptare, perballe euro-aziatizmit, mik të interesave serbe, pasi kurrë më parë nuk janë mbrojtur më shumë interesat e Kosovës, sesa kur Uashingtoni i dikurshëm, bashkë me Gjermaninë dhe Britaninë, nga koha e Blerit deri tek ajo e kohës kur kryeministre ishte Teresa May.

Çështja është sa do reflektojnë amerikanët e Shtëpisë së Bardhë pas këtij autogoli dhe fiaskoje për zgjidhje të shpejta (quick fixes), tipike të punës së administratës së Trump-it.

Këtu përfshij edhe reflektimin e votuesve amerikanë, në dorë të të cilëve ndodhet më shumë se kurrë e ardhmja e Kosovës, sa ç’është në dorë edhe të votuesve të Kosovës, për një klasë të re perfaqësuese në negociata.

Ajo që ka ndodhur, dhe është histori, nuk mund ta ndryshojmë me photoshop, sfida mbetet të ndryshojmë të ardhmen për një një paqe të qëndrueshme dhe të bazuar në drejtësi historike në Ballkan.

©Arben Manaj