Kolumnist

Kësaj opozite s’i beson askush - Nga Enver Robelli

Bendi ultranacionalist “Ribla çorba” dha koncert në Leposaviq. Ky koncert tregoi pafuqinë e shtetit të Kosovës për të ndaluar një çorbë ultranacionaliste serbe në territorin verior të Kosovës, të cilin, fatkeqësisht, nuk e kontrollon shteti i Kosovës. Opozita dhe zhurmuesit e saj paramedialë iu vërsulën qeverisë. Mirë që i vërsulen dhe mirë që e kritikojnë, por a i beson kush kësaj opozite? Njerëzit do t’i besonin kësaj opozite nëse ajo kur ka qenë në pushtet do të kishte ndaluar koncertin e vejushës së Arkanit në Mitrovicë në vitin 2018. Pse nuk e ka ndaluar këtë koncert kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj, trimi mbi trima?

Njerëzit do t’i besonin kësaj opozite nëse ajo kur ka qenë në pushtet do të kishte ndaluar (më 2016) zbulimin e përmendores së Car Llazarit në pjesën veriore të Mitrovicës. Kush ka qenë kryeministër më 2016? Edhe sa i përket vendosjes së gurthemelit të “Universitetit të Prishtinës në Mitrovicë”, e vërteta është se këtë të drejtë pakicës serbe dhe Beogradit ia kanë mundësuar partitë që tani janë në opozitë. Ia kanë mundësuar me ligj. Madje në vitin 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Partitë e opozitës kanë pasur kohë 13 vjet ta ndryshojnë këtë ligj. Nuk e kanë bërë. Bile as tani nuk po kërkojnë që ligji të ndryshohet.

Një opozitë serioze do të thoshte: e përkrahim qeverinë nëse ajo ndryshon ligjin që ne, opozita e sotme, e kemi miratuar më 2008 dhe e pranojmë se kemi gabuar. Kjo opozitë nuk i pranon gabimet e saj. Ajo vetëm ka qejf të bëjë zhurmë duke shpresuar se ky popull vuan përjetësisht nga amnezia. Jo, nuk vuan! Kosova vërtet ka nevojë për opozitë të fuqishme për të sfiduar këtë qeveri, e cila ka bërë premtime të mëdha. Andaj edhe opozita duhet të jetë e pakompromis. Por për fatin e keq të Kosovës kësaj opozite s’i beson gati askush, së paku jo shumica e qytetareve dhe qytetarëve të Kosovës.

©Enver Robelli