Fundi i PD-së, apo i opozitarizmit? - Nga Ilir Gjini
Vjeshta, në peizazhin e trazuar shqiptar ka ardhur me dy shëmbëllime të ndryshme kaq kondradiktore me njëra-tjetrën, por që janë tek e fundit dy faqe të së njëjtës monedhë që në kursin lirë të këmbimit diku mbrapa Bankës Kombëtare, quhet politika, ose pozite-opozita.
Si stinë e begatë, vjeshta po rezulton një gosti mbretërore për pozitën me në krye të gjithpushtetshmin Rama, që krahas fitores së tretë (kur të gjithë prisnin reagimin e opozitës për zgjedhjet vajmedet siç i thotë populli), po shijon duelin jo të heshtur në kuvertën e anijes gjysëm të mbytur opozitare.
Si arkitekti i këtij dueli, Rama po e shijon atë sikundër masa që gajaset në fundjavë me spektaklet humoristike, për të harruar xhepat trokë kur do duhet të bëjë pazarin të hënën. Por në ndryshim me masën, Kryeministri e ka zgjidhur hallin duke thelluar borxhin publik që po i shtrëngon litarin në fyt financave të shtetit.
Po si stinë e qiellit me yje dhe meteorë që bien duke i plotësuar dëshirat qiellvrojtuesve, na bën të shohim ëndrra me satelit. Vjeshta në fakt është mjaft e begatë edhe për preshin që dikur ishte gjella jonë bazike, ndërsa sot preshi po na bën me krahë dhe mund të fluturojmë.
Nga ana tjetër, opozita që jo vetem nuk po shijon gjë nga prodhimet e bollshme të vjeshtës, por përkundrazi po shikon të bien gjethet e vyshkura nga pema e saj gjysëm e tharë, në pritje të ndonjë pranvere që do vij nga jashtë.
Kryetari i opozitës Lulzimi, megjithëse partisë që drejton po i bien gjethet, po lulëzon si lule dielli duke ndjekur me përpikmëri orbitën e diellit ambasadorial që ndriçon tek selia e “Rrugë s së Elbasanit”. Vetëm se ai nuk po kupton që ky diell që për të i ngroh karrigen e opozitarit, është i ftohtë për masën e demokratëve që të zhgënjyer nga humbja e zgjedhjeve po i bashkohen në masë Foltores së Berishës.
Kjo situatë ku ndodhet sot opozita me dy kryetarë: njëri në zyrë e tjetri në pjacë, më kujton një episod kur PD-ja e parë sapo kishte marrë pushtetin. Në atë kohë ishte aprovuar ligji 24/1 që i lejonte funskionarët e shtetit të pushonin nga puna pa motivacion, të gjithë ata që i kishin shërbyer me devotshmëri nomeklaturës komuniste.
Mirëpo për të bërë lëvizjet dhe emërimet në administratë duhej firma dhe vula. Në një degë lokale të PD-së, kryetari nuk kishte konsesus me sekretarin dhe sekretari që me statut mbante vulën, nuk e linte në kasafortë por e mbante në xhep. Miku im Sandër Çipa shkruajti te Koha Jonë: “Bishti i vulës në kasafortë, goma në xhep të sekretarit”. Ishin barazim se kryetari nuk e çonte dot shkresën pa vulë.
Lulzim Basha të cilit siç po tregojnë pamjet i ka mbetur vetëm vula, duket si një Don që po lufton me mullinjtë e erës për vettingun e politikanëve duke aprovuar në heshtje problemet reale si borxhi publik, zgjedhjet dhe korrupsioni. Kështu si po e drejton opozitën, nuk do të jetë e largët dita kur Lulzimit do ti mbetet vetëm shkopi i vulës.
A do të jetë ky fundi i PD-së, apo i opozitarizmit?
©Ilir Gjini









